AFP
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka kërkuar Kinës më shumë informata për sëmundjet e frymëmarrjes që po përhapen në veri të vendit, por Pekini nuk ofroi asnjë koment publik të enjten.
Që nga mesi i tetorit Kina veriore ka raportuar një rritje të "sëmundjeve të ngjashme me gripin" krahasuar me të njëjtën periudhë në tre vitet e mëparshme, tha OBSH.
"OBSH i ka bërë një kërkesë zyrtare Kinës për informacion të detajuar mbi një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe grupet e raportuara të pneumonisë tek fëmijët," tha organi shëndetësor i OKB-së në një deklaratë të lëshuar të mërkurën vonë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë u tha gazetarëve javën e kaluar se rritja e sëmundjeve të frymëmarrjes ishte për shkak të heqjes së kufizimeve të Covid-19, gripit dhe infeksioneve të zakonshme bakteriale që prekin fëmijët, duke përfshirë pneumoninë e mykoplazmës.
SHIKONI EDHE: Studimi i ri: “COVID-i i gjatë” mund të shkaktojë anomali në organet kryesoreKryeqyteti kinez aktualisht po përjeton një krizë të ftohti me temperatura që pritet të bien nën zero deri të premten.
Qyteti ka "hyrë në një sezon të rritjeve të rasteve të sëmundjeve infektive të frymëmarrjes", tha për mediat shtetërore Wang Quanyi, zëvendësdrejtor dhe eksperti kryesor epidemiologjik në Qendrën e Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Pekini "aktualisht po tregon një prirje të bashkëjetesës së shumë patogjenëve", shtoi ai.
OBSH nuk dha asnjë tregues për përgjigjen e Kinës ndaj kërkesës për më shumë informacion.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga AFP të enjten. Dhe zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Pekinit, Mao Ning, i referoi gazetarët tek "autoritetet kompetente kineze."
"Për shkak të stinës"
Në spitalin e fëmijëve të Institutit të Pediatrisë së Pekinit të enjten, gazetarët panë numër të madh të prindërve dhe fëmijëve të veshur me rroba dimri.
Një prind me mbiemrin Zhang e shoqëroi djalin nëntë vjeçar që kollitej dhe tha se ai ishte sëmurë me pneumoni mykoplazmatike - një patogjen që mund të shkaktojë dhimbje të fytit, lodhje dhe ethe.
“Ka vërtet shumë fëmijë që e kanë kapur së fundmi. Sigurisht që kjo më shqetëson", tha ajo.
Li Meiling, 42 vjeç, kishte sjellë vajzën e saj tetëvjeçare, e cila tha se vuante nga i njëjti lloj pneumonie.
"Është e vërtetë që shumë fëmijë të moshës së saj janë të sëmurë me këtë aktualisht," tha ajo për AFP.
Por ajo "nuk ishte e shqetësuar në veçanti" për njoftimin e OBSH-së, shtoi ajo.
“Është dimër, ndaj është normale që ka më shumë raste të sëmundjeve të frymëmarrjes. Kjo është për shkak të stinës.”
SHIKONI EDHE: Varianti EG.5 i koronavirusit: A ka arsye për shqetësim?Më 21 nëntor, media dhe sistemi i mbikëqyrjes së sëmundjeve publike ProMED raportoi grupe të pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët në veri të Kinës.
OBSH tha se ishte e paqartë nëse raporti i ProMED kishte lidhje me konferencën për shtyp të autoriteteve dhe se po kërkonte sqarime.
Agjencia gjithashtu "ka kërkuar informacion shtesë mbi tendencat e fundit në qarkullimin e patogjenëve të njohur, duke përfshirë gripin, SARS-CoV-2 [virusin që shkakton Covid-19], RSV që prek foshnjat si dhe shkalla e mbipopullimit në sistemin shëndetësor”, thuhet në njoftim.
Ai u bëri thirrje njerëzve të marrin masa parandaluese, duke përfshirë vaksinimin, mbajtjen e distancës nga njerëzit e sëmurë dhe veshjen e maskave.
Thirrje për transparencë
Gjatë pandemisë Covid-19, OBSH kritikoi vazhdimisht autoritetet kineze për mungesën e transparencës dhe bashkëpunimit.
Më shumë se tre vjet pas zbulimit të rasteve të para në Vuhan, debati i nxehtë vazhdon ende rreth origjinës së Covid-19.
Shkencëtarët janë të ndarë midis dy teorive kryesore sa i përket shkaktarit: një rrjedhje nga një laborator në qytet ku po studioheshin viruse të tilla dhe një kafshë që infektonte njerëzit në një treg lokal.
SHIKONI EDHE: Agjencitë e inteligjencës në SHBA të ndara për origjinën e koronavirusitNë fillim të këtij viti, ekspertët e OBSH-së thanë se ishin të sigurt se Pekini kishte shumë më tepër të dhëna që mund të hidhnin dritë mbi origjinën e Covid-it dhe ndarjen e informacionit e quajtën një domosdoshmëri morale.
Një ekip specialistësh i udhëhequr nga OBSH dhe i shoqëruar nga kolegë kinezë hetuan Kinën në fillim të vitit 2021 dhe zyrtarët e OBSH vazhdimisht kanë kërkuar të dhëna shtesë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka theksuar se arritja në fund të misterit mund të ndihmojë në shmangien e pandemive të ardhshme.