Sëmundja COVID-19 më nuk paraqet emergjencë globale shëndetësore, tha më 5 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Ky njoftim paraqet një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të pandemisë që ka vrarë mbi 6.9 milionë persona dhe ka shkaktuar pengesa në ekonominë globale.
“Dje, Komiteti i Emergjencave u takua për herë të 15-të dhe më ka rekomanduar që të shpall të përfunduar emergjencën shëndetësore. E kam pranuar këtë këshillë. Prandaj, me shpresë të madhe unë e shpall të përfunduar emergjencën globale shëndetësore për COVID-19”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Komiteti për Emergjenca i OBSH-së fillimisht më 30 janar 2020 kishte shpallur COVID-19 sëmundje që paraqiste kërcënim të nivelit më të lartë.
SHIKONI EDHE: OBSH i kërkon Kinës të publikojë të gjitha të dhënat e lidhura me origjinën e COVID-itOBSH tha se pavarësisht se COVID-19 më nuk është emergjencë globale shëndetësore, kjo nuk nënkupton se sëmundja është zhdukur.
Sipas të dhënave të OBSH-së, numri i viktimave nga COVID-19 ka rënë. Në janar të vitit 2021, bota regjistronte mbi 100.000 viktima në javë nga kjo sëmundje, ndërkaq sipas të dhënave të prillit të këtij viti, ky numër është mbi 3.500.
“Megjithatë, kjo nuk nënkupton se COVID-19 nuk është kërcënim global shëndetësor ”, tha Ghebreyesus.
OBSH-ja nuk shpall nisjen apo përfundimin e pandemive, edhe pse kjo organizatë nisi të përdorë termin pandemi për COVID-in në mars të vitit 2020.
Vitin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, shpalli të përfunduar pandeminë.
Rastet e para me sëmundjen COVID-19 u regjistruan për herë të në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Më pas, sëmundja u përhap në mbarë botën.