OBSH-ja ngre alarmin për rritjen e viktimave nga COVID-19

Mjekët dhe stafi mjekësor kujdesen për pacientët në repartin COVID-19 në një Spital të Përgjithshëm në Sarajevë të Bosnjë dhe Hercegovinës, 18 mars 2021.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi të hënën se mbi 230,000 viktima të reja nga COVID-19 mund të ndodhin në Evropë deri më 1 dhjetor.

Paralajmërimi vjen derisa bota kaloi shifrën e 4.5 milionë vdekjeve nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, sipas agjencisë AFP.

Shkalla e të infektuarve po rritet në tërë botën, pasi varianti Delta i koronavirusit është shumë më i transmetueshëm dhe po mbizotëron rastet e reja.

Infektimet po ndodhin kryesisht në mesin e personave të pavaksinuar dhe në vendet ku masat kundër përhapjes së COVID-19 janë lehtësuar.

Kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha të hënën se numri i të infektuarve dhe vdekjeve është përsëri në rritje në Evropë, veçanërisht në vendet më të varfra në Ballkan, Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

"Javën e kaluar, u shënua një rritje prej 11 për qind e numrit të vdekjeve në rajon që në bazë të një parashikimi mund të çojë në 236,000 vdekje në Evropë, deri më 1 dhjetor", tha Kluge.

Deri më tash Evropa ka regjistruar rreth 1.3 milion vdekje nga sëmundja COVID-19.

Nga 53 vendet anëtare të OBSH -së në Evropë, 33 kanë regjistruar një shkallë më të lartë vdekjeve dhe kjo ka ndodhur kryesisht në vendet më të varfra, tha Kluge.

SHIKONI EDHE: Edhe 20 viktima nga COVID-19 në Kosovë

Sipas OBSH-së, vetëm gjashtë për qind e njerëzve në vendet me të ardhura më të ulëta dhe të mesme në Evropë janë plotësisht të vaksinuar, dhe disa vende kanë arritur të vaksinojnë vetëm një në 10 profesionistë shëndetësorë.

"Ngecja në marrjen e vaksinave në rajonin tonë është një shqetësim serioz", tha Kluge, duke u bërë thirrje vendeve që "të rrisin prodhimin, të ndajnë dozat dhe të përmirësojnë qasjen në vaksina".