Farat e Çernobilit: Si lindi termocentrali i parë bërthamor?
Centrali Bërthamor i Obninskut i fotografuar më 1957.
Brenda kësaj ndërtese jo të klasifikuar, rreth 100 kilometra larg Moskës, energjia elektrike e prodhuar nga zbërthimi i atomeve, u kanalizua në një rrjet energjie për herë të parë më 27 qershor 1954.
Një fotografi nga arkivi e trupit të të ashtuquajturës Tsar Bomba, bomba më e madhe bërthamore e testuar ndonjëherë
Bashkimi Sovjetik nën diktatorin Josef Stalin kishte derdhur burimet e tij shkencore për zhvillimin e armëve apokaliptike. Por, pasi bomba e parë bërthamore sovjetike u testua në gusht të vitit 1949, disa nga fizikanët më të mirë të BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike), u ridrejtuan për të shfrytëzuar fuqinë monstruoze të ndarjes bërthamore për prodhimin e energjisë në të njëjtën kohë kur Perëndimi po ndiqte të njëjtin qëllim. Hulumtimi u quajt "atomet për paqen" nga Shtetet e Bashkuara dhe "atomi paqësor" nga Moska.
Një foto e hershme e reaktorit të Atomit Paqësor brenda termocentralit bërthamor Obninsk
Bashkimi Sovjetik kishte shtyrë të shfrytëzonte ndarjen bërthamore për prodhimin e energjisë pjesërisht për shkak të shpërndarjes së vështirë të lëndëve djegëse fosile që po fuqizonin pjesën më të madhe të industrisë së tij.
Vagona treni të ngarkuar me qymyr në Jakutsk në Lindjen e Largët të Rusisë Sovjetike.
Pjesa më e madhe e pasurisë së hidrokarbureve të Bashkimit Sovjetik shtrihej nën rajone të shkretuara të Siberisë, ndërsa popullsia e tij ishte e përqendruar kryesisht në rajonet perëndimore të vendit. Ishte një moment kur rreth 40 për qind e të gjithë transportit hekurudhor sovjetik merrej me transportin e qymyrit në termocentralet e tij.
Paneli i kontrollit të termocentralit bërthamor të Obninskut i fotografuar më 1955.
Objekti i Obninskut përdori nxehtësinë nga ndarja bërthamore e uraniumit të pasuruar për të zier ujin në avull, i cili nga ana e tij rrotulloi një turbinë që prodhonte energji elektrike. Fuqia e reaktorit bërthamor duhej të kufizohej në prodhimin që mund të përballonte një turbinë ekzistuese.
Shkencëtarët matin nivelet e rrezatimit brenda Centralit Bërthamor të Obninskut më 1957.
Një dëshmitar i reaktorit eksperimental që u aktivizua në vitin 1954 e përshkroi atë që dukej si "një rrymë avulli që dilte nga valvula me një fërshëllimë të fortë. Reja e bardhë e avullit të zakonshëm, e cila ende nuk ishte mjaft e nxehtë për ta rrotulluar turbinën, na dukej një mrekulli. Në fund të fundit, ky ishte avulli i parë i prodhuar nga energjia atomike”.
Një seksion i paidentifikuar i Centralit Bërthamor të Obninskut i fotografuar në vitet 1970.
Termocentrali mbeti në funksion pa incidente të mëdha derisa u çaktivizua në vitin 2002. Suksesi i objektit në shkallë të vogël ishte baza për projektimin e reaktorëve RMBK që do të qëndronin në zemër të disa centraleve bërthamore sovjetike, duke përfshirë një objekt pranë Kievit në Ukrainën Sovjetike i njohur si termocentrali bërthamor i Çernobilit.