Nxënësit në shtëpi - mësimdhënësit në grevë

Foto ilustruese

Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit para-universitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë për afër 2 javë nuk janë duke vijuar procesin mësimor si rrjedhojë e grevës së mësimdhënësve.

Mësimdhënësit vazhdojnë të jenë këmbëngulës në realizmin e kërkesës së tyre që ka të bëjë me rritjen e koeficientit të pagës.

Në bazë të Projektligjit aktual për pagat, në koeficientet nga 1.7 deri në 2.5, përfshihen përfaqësues të sistemit arsimit, bashkë me edukatorët e kopshteve deri te drejtorët e shkollave të mesme.

Kërkesa e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe e Këshillit është ngritja e koeficientit për punonjësit e arsimit së paku 30 për qind.

*Video nga arkivi: Grevë në institucionet arsimore

Your browser doesn’t support HTML5

Grevë në institucionet arsimore

Por, mosvijimi i procesit mësimor nga ekspertët e çështjeve të arsimit dhe përfaqësuesit e prindërve konsiderohet se do të sjellë pasoja të mëdha për nxënësit dhe gjithë procesin e arsimit në të ardhmen e afërt.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi thotë për Radion Evropa e Lirë se dëmi më i madh nga kjo grevë është duke iu bërë pikërisht nxënësve.

Bytyqi thotë se të gjitha orët e humbura do të mund të kompensohen, por që gjithsesi, sipas tij, nuk do të kenë efektet e duhura.

“Brenga jonë që nga fillimi ka qenë që mos të humbet asnjë ditë mësimi pasi që do të jetë një dëm i madh për nxënësit tanë, kjo ishte edhe arsyeja që nuk u pajtuam me SBASHK-un që të fillojë greva. Me SBASHK-un ishim që të gjejmë alternativa dhe ishim në përkrahje të tyre që renditja e mësimdhënësve në renditjet e koeficientit në projektligjit për paga të ketë një vend meritor”.

“Të gjitha zgjidhjet tjera mund të bëhen dhe duhet të bëhen në një kohë të caktuar, por dëmi që u bëhet nxënësve është i parikoperueshëm. Pavarësisht se ne mund t'i kompensojmë këto orë, mund të marrim një vendim që të gjitha orët e humbura të kompensohen, por nuk e ka efektin sikur tani të ishin mbajtur orët e rregullta të mësimit”, deklaron Bytyqi.

Ministri Bytyqi thotë se Qeveria ka reflektuar karshi kërkesave të SBASHK-ut, por deri më tani fatkeqësisht ata nuk kanë reflektuar. Ai shton se këmbëngulësia e SBASHK-ut për grevë po shkon në një drejtim që po dëmton shumë procesin mësimor.

Në anën tjetër, Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit thotë për Radion Evropa e Lirë se një grevë si kjo e arsimit pa një kohë të caktuar, mund të vërë në pikëpyetje përfundimin legal të vitit shkollor akademik 2018-2019.

#Hashtag

Your browser doesn’t support HTML5

A duhet ndryshuar Ligjin për pagat në Kosovë?

Sipas tij, nëse kjo grevë zgjatet atëherë bllokohet i tërë sistemi i edukimit dhe arsimit në Kosovë. Ai shton se pasojat e deritashme në arsim janë të pariparueshme.

“Nëse nga e hëna nuk fillon mësimi, atëherë ky vit shkollor duhet të shpallet si jo legjitim, sepse nuk mund të bëhet kompensimi i përmbajtjeve. Pasojat për nxënësit janë të mëdha. Nxënësit kanë qenë në pushime dimërore dhe menjëherë pas pushimit kanë hyrë në grevë, kështu që një pjesë e mirë e njësive mësimore të përvetësuara nga nxënësit, janë harruar dhe kjo është vështirë të përvetësohet”, vlerëson Hyseni.

Greva e punonjësve të arsimit në Kosovë ka filluara më 14 janar, kur pritej të niste gjysmëvjetori i dytë në institucionet parauniversitare, pas pushimit dimëror.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshitaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se greva është bërë tani një shqetësim, pasi që mund të fillojë edhe java e tretë dhe ajo të mos ndërpritet.

“Nxënësit janë duke humbur shumë, dëmet janë të mëdha. Dëshira dhe vullneti i nxënësve për të mësuar është zbehur dukshëm. Zëvendësimi i orëve, nëse bëhet, parqet ngarkesë tjetër të re për aftësitë e tyre psikike. Dëmin tjetër që do të pësojnë nxënësit, është që gjatë vlerësimit të performancës së tyre do të marrin nota më të dobëta, ose do të jetë një vlerësim jo real pasi që për një kohë të shkurtër do të mësojnë shumë njësi mësimore dhe do të vlerësohen për të gjitha ato njësi”, thotë Reshitaj.

Në Kosovë, sipas ish-nënkryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Drgusha, nuk ka pasur ndonjëherë një grevë në arsim që ka zgjatur kaq shumë.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime, por që greva nuk do të duhej të zhvillohej. Sipas tij, derisa Këshilli i prindërve dhe i nxënësve janë kundër kësaj greve, SBASHK-u duhet ta ketë parasysh këtë.

“Një vendim i tillë për grevë dhe një kohëzgjatje nuk është vendim i peshuar dhe matur mirë, po ashtu edhe momentumi kohor nuk është i pajtueshëm me këtë vendim. Sindikata e arsimit është dashur që me dialog të kyçet në punën e projektligjit për paga deri në fuqizimin e tij. Apeloj te ish-kolegët që të ulen dhe të kenë parasysh shumë parametra të tjerë që mund të dalin nga kjo grevë dhe që të vazhdojnë mësimin pasi që këtu po pëson ai që ka më së paku faj e ai është nxënësi”, thotë Dragusha.

Në anën tjetër, SBASHK-u ka ritheksuar se greva nuk do të ndërpritet pa realizmin e kërkesave të tyre.

Projektligji për pagat pritet që të procedohet në Kuvendin e Kosovës më 31 janar së bashku me Projektligjin për buxhetin 2019.