Vazhdon numërimi i votave në Shqipëri, prin PS-ja

Një punëtor zgjedhor duke mbyllur kutitë e votimit, pas përfundimit të procesit zgjedhor. Tiranë, 25 prill, 2021.

Në Shqipëri ka filluar procesi i numërimit të votave që nga orët e para të mëngjesit të së hënës dhe deri në ora 19:00 janë numëruar gati 900 mijë vota në të gjithë vendin, më shumë se 62% e kutive.

Nga rezultatet e deritanishme, kryeson Partia Socialiste me 48.84 për qind të votave, Partia Demokratike me 39.11 për qind dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 6.85 për qind.

Ndërkaq, në këto zgjedhje, si kandidatë të pavaruar garuan edhe tre anëtarë të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Boiken Abazi, sipas rezultateve të deritanishme, ka fituar 0.12 për qind të votave, Iljaz Shehu 0.03 për qind dhe Kreshnik Merxhani 0.01 për qind.

Nga selia e Partisë Socialiste, kandidatja për deputete, Bora Muzhaqi përcolli një mesazh, për siç tha ajo, rivalin politik, duke thënë se ata po vonojnë procesin e numërimit të votave.

“Qytetarët meritojnë ta mësojnë një orë e më parë rezultatin përfundimtar. Kjo ishte ndeshje shumë e rëndësishme – dy vizionesh dhe dy platformash kaq të ndryshme që kanë ndezur për javë të tëra debate në publik. Ata janë shprehur qartë, dhe partitë tani kanë nevojë t’ju shërbejnë për nxjerrjen e rezultatit”, tha ajo, duke bërë vërejtje në siç tha Muzhaqi, kërkesat e shpeshta për pushim të komisionerëve të PD-së.

Your browser doesn’t support HTML5

Qytetarët presin ndryshime pas zgjedhjeve në Shqipëri

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur optimizëm për fitoren e partisë të cilën ai udhëheq. Ai tha se deri më tani janë numëruar votat e partisë në pushtet, ndërsa theksoi se PS-ja ka pësuar humbje në bastionet e saj.

“Siç e dimë të gjithë qendrat e para që numërohen janë përcaktuar nga partia në pushtet dhe favorizojnë partinë në pushtet. PS ka humbur thellë në votat e numëruara në Përmet, Këlcyrë e Memaliaj. Kemi të bëjmë me humbje të thellë të PS dhe rritje të votave për PD e koalicionin për ndryshim, ky është fillimi. Pas kutive ku janë ndëshkuar, zona 10 në Tiranë ku PD ka rritje 30 për qind, apo në Memaliaj, Këlcyrë e Përmet do të vijë dhe radha e kutive të tjera. Derisa janë ndëshkuar në bastione presim që vota të ndryshojë”, tha Basha.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, pasi vizitoi një qendër të numërimit të votave, u bëri thirrje kandidatëve dhe udhëheqësve politikë që të presin në qetësi rezultatin e zgjedhjeve.

“Detyra e kandidatëve dhe udhëheqësve politikë është që të presin të qetë dhe me durim rezultatin. Në entuziazmin e momentit disa kanë shpallur fitoren, mirëpo nuk kemi mbërritur ende aty sa të dalë rezultati përfundimtar”, u shpreh ambasadorja.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca bëri thirrje që askush të mos dalë në përfundime pa u numëruar edhe vota e fundit.

Ai bëri thirrje që procesi të vijojë pa probleme dhe pa vonesa.

“Po shkoj në disa qendra numërimi dhe në disa prej tyre, ekipet po bëjnë pushim që të rifillojë sërish. Procesi duhet të vijojë pa probleme dhe vonesa sepse kemi shumë gjëra për të mësuar dhe qytetarët duan të mësojnë rezultatin. Zgjedhësit shqiptarë e dhanë votën e tyre, ka pasur pjesëmarrje të lartë dhe ky është tregues i jetës demokratike në Shqipëri”, u shpreh Soreca.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëria në pritje të rezultateve

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vlerësuar se i duhet 48 orë për të përcaktuar fituesin preliminar të zgjedhjeve të 25 prillit për 140 mandatet në 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor.

“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë një paraqitjeje publike, menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit ditën e diel.

Pra, rezultati preliminar për zgjedhjet e 25 prillit pritet të bëhet i ditur zyrtarisht ditën e martë.

Në këto zgjedhje, për ta reformuar sistemin e saj zgjedhor, Shqipëria ka investuar në infrastrukturë duke pajisur një pjesë të vendvotimeve me votim elektronik.

Në zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë të drejtë vote kishin 3.6 milionë qytetarë.

Qytetarët votuan për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në Shqipëri, të dielën u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48.59 për qind, përkatësisht 1.729.834 qytetarë.

Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore.

Për krijimin e qeverisë, partia apo koalicioni fitues duhet të ketë së paku 71 mandate në Kuvendin e Republikës.