Nuland kërkon të fillojë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit

Nënsekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland.

Nënsekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, ka përsëritur kërkesën e SHBA-së drejt Kosovës dhe Serbisë për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, pas një takimi me të dërguarin e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Ajo gjithashtu ka theksuar se SHBA-ja përkrah “planin trepikësh të BE-së si mënyrën më të mirë për ta zgjidhur krizën” në veri të Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje drejt normalizimit të raporteve më 27 shkurt në Bruksel, si dhe u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj në Ohër më 18 mars.

Edhe Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lexoni edhe këtë: ‘Nuk ka Asociacion pa dekret të Qeverisë’

Por, situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale. Serbë lokalë kanë protestuar që nga ajo ditë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka shprehur tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri: shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, e ka prezantuar ditë më parë një plan pesëpikësh për ulje të tensioneve.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave