Udhëheqësi i komitetit për organizim të Lojërave Olimpike Verore, Toshiro Muto, ka thënë se nuk mund të përjashtojë mundësinë e anulimit të këtij organizimi, që pritet të nisë në tri ditë, nëse ka ndonjë shpërthim të koronavirusit.
Muto ka thënë më 20 korrik se organizatorët janë duke analizuar nga afër të dhënat rreth pandemisë dhe se ai vetë është në kontakt me zyrtarë tjerë për të marrë vendime të bazuara në informacionet e fundit.
Komentet e tij kanë ardhur në të njëjtën ditë kur zyrtarët kanë raportuar për nëntë raste tjera pozitive të lidhura me persona të përfshirë në këto Lojëra, duke e çuar numrin e personave të infektuar në 71.
“Ne do të vazhdojmë diskutimet nëse ka shpërthime”, ka thënë Muto, ish-burokrat i lartë financiar, i afërt me partinë në pushtet në Japoni, i cili njihet për zgjedhje të kujdesshme të fjalëve.
“Ne jemi pajtuar që bazuar në situatën me koronavirus, të rinisin bisedimet. Në këtë pikë, numri i të infektuarve mund të rritet apo bie, andaj ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë kur situata zhvillohet”.
SHIKONI EDHE: Tokio 2020: A e ka Japonia koronavirusin nën kontroll?Më pak se një javë para nisjes së Lojërave, shqetësimet janë duke u rritur për atë sesi do ta menaxhojnë organizatorët situatën dhe fluksin e mijëra atletëve, stafit mbështetës dhe personelit shtesë nga jashtë.
Procesi i vaksinimit në Japoni ka mbetur më mbrapa se në shumicën e vendeve të zhvilluara, dhe vendi nikoqir i këtyre Lojërave, Tokio, po përballet me valë të re të infektimeve.
Lojërat Olimpike veçse janë shtyrë nga viti i kaluar, për shkak të pandemisë, si dhe ato do të mbahen pa spektatorë.
Pavarësisht shenjave shqetësuese, një zëdhënës për këtë organizim ka thënë më 20 korrik se organizatorët “janë të koncentruar 100 për qind në realizim të suksesshëm të Lojërave”.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka thënë se anulimi i kësaj ngjarjeje nuk ka ekzistuar kurrë si mundësi dhe është zotuar për të mbajtur Lojërat Olimpike “të sigurta”.