Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka thënë të enjten se nuk ka shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur në sulmin që ka ndodhur në Pragë, sipas informacioneve të fundit që ka marrë.
Një student ka vrarë 13 persona në Universitetin e Karlit, dhe ka plagosur 25 të tjerë, 10 prej tyre seriozisht.
Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, e ka paramenduar sulmin.
SHIKONI EDHE: Trembëdhjetë persona të vrarë si pasojë e sulmit në një universitet në PragëAutoritetet e kanë gjetur më vonë trupin e tij të pajetë në ambientet e universitetit.
Ky besohet se është incidenti më i rëndë me të shtëna masive në historinë moderne të Republikës Çeke.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se është e tronditur prej sulmit dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, si dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Ministria ka thënë se ka kontaktuar me profesorë dhe studentë të seksionit të gjuhës shqipe në universitet, që kanë qenë në ambientet e institucionit, kur ka ndodhur sulmi.
Edhe Ministria, sikurse Ambasada e Kosovës në Pragë, u kanë kërkuar shtetasve kosovarë që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe e kanë vënë në në dispozicion linjën telefonike +420 257 217 775, për çdo kërkesë për ndihmë konsullore.
Ministri i Brendshëm çek, Vit Rakushan, ka thënë se në ndërtesën e universitetit është gjetur numër i madh armësh.
Ai ka thënë se shifra e viktimave do të mund të ishte shumë më e madhe, nëse nuk do të kishte reagim të shpejtë policor.
SHIKONI EDHE: Sulmet me armë nëpër shkollat e Evropës ndër vite
Kush është sulmuesi?
Policia ka thënë se ai ka qenë prej një fshati 21 kilometra larg Pragës.
Sipas Policisë, babai i të dyshuarit është gjetur i vdekur më herët gjatë ditës.
Ministri Rakushan, ka thënë se “nuk ka sinjale që krimi ka pasur lidhje me terrorizëm ndërkombëtar”.
Autoritetet çeke kanë thënë se zyrtarët dyshojnë që sulmuesi është përgjegjës për vdekjen e dy personave javën e kaluar në pyllin Klanovicki afër Pragës.
Ata besojnë se sulmuesi – i cili nuk ka pasur histori kriminale – ka shtënë ndaj viktimave, pa dallim.
Autoritetet çeke janë shprehur të tronditura nga sulmi, ndërsa ata kanë pranuar ngushëllime për rastin prej shumë liderëve në mbarë botën.