Pas rrjedhjeve në Baltik, Norvegjia dërgon ushtarë në uzinat e naftës dhe gazit

Vendi ku besohet se është duke rrjedhur gazi nga tubacionet.

Ushtria norvegjeze tha të hënën se ka dërguar ushtarë për të ndihmuar në ruajtjen e impianteve kryesore të përpunimit të naftës dhe gazit. Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të rritur nivelin e sigurisë mes dyshimeve se sabotimi shkaktoi rrjedhje në tubacionet e gazit Rrjedha Veriore.

Katër rrjedhje - dy në zonën e Danimarkës dhe dy në zonën e Suedisë – janë zbuluar javën e kaluar në dy tubacione të mëdha ruse, Rrjedha Veriore 1 dhe Rrjedha Veriore 2.

Norvegjia, furnizuesi më i madh i gazit në Evropë dhe një eksportues i madh i naftës, javën e kaluar vendosi flotën e saj dhe forcat ajrore për të patrulluar zonat e naftës në det të hapur, dhe njoftoi se për ta bërë këtë do të merrte ndihmë nga Britania, Gjermania dhe Franca.

Me kërkesë të policisë norvegjeze, Garda e Shtëpisë Norvegjeze, një forcë e mobilizimit të shpejtë, filloi të hënën të vendosë trupa në uzinat përgjegjëse për përpunimin dhe eksportimin e naftës dhe gazit.

SHIKONI EDHE: NATO: Rrjedhjet nga tubacionet sabotim “i pamatur dhe i qëllimshëm”

Megjithëse qeveria norvegjeze ka thënë se nuk ishte në dijeni të ndonjë kërcënimi specifik ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit, e pa të nevojshme të rriste sigurinë, për të ulur shqetësimet e punëtorëve atje.

Ndër objektet në tokë që morën mbrojtje policore dhe ushtarake të hënën janë terminalet e eksportit të gazit, Kollsnes dhe Nyhamna, uzina e gazit, Kaarstoe dhe rafineria e naftës, Mongstad.

Deri tani nuk ka të dhëna për numrin e ushtarëve të armatosur në këto zona.

NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se rrjedhjet janë akt “sabotazhi” dhe janë zotuar se do të marrin masa për të mbrojtur infrastrukturën kritike evropiane.