Nora Gjakova fiton medaljen e artë  

Xhudistja Nora Gjakova pas fitores së medaljes së artë në "Tokio 2020".

Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova ka fituar medaljen e artë olimpike, pasi në finale, në kategorinë deri në 57 kilogramë e mposhti francezen, Sarah-Léonie Cysique.

Kjo është medalje e dytë e artë që Kosova ka fituar në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Të shtunën, xhudistja Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë.

SHIKONI EDHE: Xhudistja Distria Krasniqi fiton medalje të artë olimpike

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka thënë se me fitoren e Gjakovës, Kosova ka vazhduar trendin e mirë të fitores së medaljeve të arta në këtë sport në Lojërat Olimpike.

“Trendi legjendar vazhdon për ekipin e femrave të Kosovës, teksa Nora Gjakova fiton medaljen e tretë të Kosovës në Lojërat Olimpike – që të tria në xhudo”, thuhet në një postim të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike. Në Rio më 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi kishte fituar medaljen e artë.

Kosovën në Lojërat Olimpike sivjet e përfaqësojnë 11 sportistë, në gjashtë sporte.

Ky organizim është shtyrë nga viti 2020, për shkak të pandemisë së koronavirusit.