Nobeli për Fizikë u ndahet themeltarëve të inteligjencës artificiale

Dy profesorët që kanë fituar Çmimin Nobel për Fizikë, për vitin 2024.

Dy profesorët që kanë fituar Çmimin Nobel për Fizikë, për vitin 2024.

Geoffrey Hinton, i njohur si babai i inteligjencës artificiale, dhe fizikani John Hopfield, e kanë fituar Çmimin Nobel për Fizikë, për punën e tyre në vendosjen e themeleve për inteligjencën artificiale.

Hulumtimet e tyre në vitet ’80 e kanë shtruar rrugën për teknologjinë që mund të bëjë revolucion në shoqëri, ndonëse sa shkon e shton shqetësime apokaliptike.

“Në situatë të njëjtë, do ta bëja sërish të njëjtën gjë, mirëpo shqetësohem se pasoja e përgjithshme është që sistemet mund të jenë më inteligjente sesa ne, dhe që mund të marrin kontrollin”, ka thënë britaniko-kanadezi, Hinton, 76-vjeçar, në një bashkëbisedim me gazetarët, pasi i është ndarë çmimi.

Hinton ka çuditur të gjithë më 2023 kur ka dhënë dorëheqje nga puna e tij në gjigantin Google, duke paralajmëruar për “rreziqet e mëdha për shoqërinë dhe njerëzimin”, që vijnë nga teknologjia.

SHIKONI EDHE: “Babai” i inteligjencës artificiale jep dorëheqje

Ellen Moons, udhëheqëse e Komitetit të Nobelit për Fizikë, ka thënë në një konferencë për media se pajisjet teknologjike janë bërë pjesë e jetës sonë, përfshirë identifikimin e fytyrës së njeriut dhe mundësinë e përkthimit të gjuhëve.

Ndonëse e ka duartrokitur potencialin e inteligjencës artificiale, Moons ka thënë se “zhvillimi i saj i shpejtë ka rritur shqetësimet edhe për të ardhmen tonë kolektive”.

“Njerëzit e bartin përgjegjësinë për përdorim të kësaj teknologjie të re në mënyrë të sigurt dhe etike”, ka thënë ajo.

Hopfield, 91-vjeçar, profesor amerikan në Universitetin Princeton, është përmendur si personi që ka krijuar “rrjetin Hopfied”, i njohur si memorie kompjuterike, që mund të përdoret për të “ruajtur edhe rikrijuar imazhe dhe gjëra tjera" përmes të dhënave që ka në dispozicion.