Beteja e partive të vogla për zgjedhje me një njësi zgjedhore

Ilustrim

Partitë e vogla politike dhe Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev mbështesin propozimin për ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë, në një njësi zgjedhore me lista të hapura.

Ky model kërkojnë të nisë të zbatohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 12 prill. Nisma është ndërmarrë nga disa parti të vogla, të cilat aktualisht me së paku 14 deputetë veprojnë në kuadër të koalicioneve të partive të mëdha politike maqedonase, LSDM dhe VMRO -DPMNE.

“Vlerësoj se modeli më i mirë zgjedhor do të ishte ai me një njësi zgjedhore me lista të hapura. Ky është një model që garanton demokratizimin e shoqërisë. Deputeti do të ketë integritetin e tij, nuk do të jetë më gjithçka në duart e liderit të partisë, pasi do të jenë votuesit ata që do t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvend”, ka deklaruar Liljana Popovska nga partia Rimëkëmbja Demokratike, në koalicion me LSDM-në.

SHIKONI EDHE: Taktizimet e partive për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Edhe disa nga partitë e vogla shqiptare kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor për të hequr, sipas tyre, dominimin e partive të mëdha.

“Mendojmë se modeli i tanishëm zgjedhor duhet të ndryshohet pasi konsiderojmë se ky model e ngulfat demokracinë, meqë i favorizon partitë më të mëdha politike”, ka deklaruar Driton Sulejmani nga partia Alternativa.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se ndryshimi i modelit zgjedhor me një njësi nuk është i favorshëm për partitë e mëdha, por ai do ta mbështesë me qëllim të, siç thotë, forcimit të demokracisë në vend.

“Ne besojmë dhe e mbështesim një model të tillë edhe pse e dimë se partitë e mëdha do të humbin, do të fitojnë partitë e vogla dhe demokracia në përgjithësi. Nuk do të ketë më mundësi për sjellje autoritare të liderëve, apo partive të mëdha. Ky do të ishte një përfitim i madh për të gjithë qytetarët. Nëse propozimi do të vendoset për votim, ne do ta mbështesim dhe shpresoj se edhe do të kalojë, por nëse nuk votohet ne nuk do të heqim dorë, zgjidhjen do ta kërkojmë në ciklet tjera zgjedhore”, ka deklaruar Zaev.

SHIKONI EDHE: Maqedonia synon reforma zgjedhore brenda gjashtë muajve 

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim është kundër ndryshimit të modelit zgjedhor, ndërsa mbështet miratimin e të gjitha ndryshimeve tjera që kërkohen nga raporti i OSBE/ODIHR-it.

“Propozim -ndryshimi i Kodit zgjedhor nuk përmban asnjë ndryshim të modelit zgjedhor, por vetëm përfshin ndryshimet apo rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nga dy palë zgjedhjet e fundit presidenciale dhe lokale”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Edhe nga VMRO DPMNE-ja, partia më e madhe maqedonase është kundër ndryshimit të modelit në këtë fazë. Nga kjo parti thonë se janë për model të ri, por jo me një njësi zgjedhore.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë, të cilët zgjidhen në gjashtë njësi zgjedhore, apo nga 20 në çdo njësi zgjedhore. Partitë e vogla pretendojnë se në rast se vendi do të kishte një njësi, atëherë votat e tyre nuk do të shpërndaheshin nëpër njësi, që pamundësojnë të ketë përfaqësues të tyre në Kuvend.