Njësitë speciale protestojnë para Qeverisë, shpalosin një sërë kërkesash

Pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës duke marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, gjatë një proteste për kushte më të mira pune, 9 dhjetor 2023.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë protestuar të shtunën pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, për herë të dytë brenda rreth një muaji, duke bërë thirrje për përmirësim të përgjithshëm të kushteve të punës dhe duke shpalosur një varg kërkesash tjera.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tha gjatë protestës se kërkesat e policisë janë përmirësimi i kushteve të punës si, veshmbathja, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, sigurim jetësor dhe shtesa të përhershme të rrezikshmërisë në punë.

"Disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje të tjera për kryerjen e detyrave nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë”, tha ai.

Protesta e tyre vjen rreth tri javë pasi Qeveria e Kosovës miratoi pako të re shtesat për këto njësi speciale dhe të gjitha njësitë e tjera policore.

SHIKONI EDHE: Sveçla thotë se policia gëzon “mbështetje të veçantë”, pas protestës së njësive speciale

Pjesë e protestës ishin pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, të cilët kishin protestuar edhe më 1 nëntor.

Por, Zeqiri tha se kanë dalë në protestë për t'i paraqitur kërkesat e të gjithë pjesëtarëve të policisë "të këtyre që janë këtu prezentë dhe të gjithë atyre që janë në kryerje të detyrave zyrtare.”

“Mendoj se protesta është gjithëpërfshirëse, kemi shumë njësi. Është një kombinim i të gjitha njësive”, tha ai.

Kërkesat e njësive speciale të Policisë së Kosovës

Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, siç janë: veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objekte policore, duke pasur parasysh se disa objekte policore, automjete dhe pajisje të tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe të mos varet vetëm nga një vend apo lokacion, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmërinë në punë të jetë 25 deri në 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet një komision i cili do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri

Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte në tregun e punës

Ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare të jetë i njëjtë me Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Sigurimin jetësor dhe rritjen në fondin e buxhetit të Policisë për shërbime shëndetësore , me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shpenzime tjera

Invadiliteti i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojnë që të krijohet një fond apo caktimi i një shume, apo mjete financiare për shkallën e invadilitetit.

Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike

Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe jo në mënyrë selective, por për të gjithë barabartë.

Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në vendin e punës

Shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit..

Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5, siç ka qenë, dhe po ashtu njohja e kualifikimit shkollor

Të rikthehet paga përcjellëse për zyrtarët që pensionohen

Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë

Përkujdesja për mirëqenien e për familjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët kanë rënë në krye të detyrës zyrtare, apo janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si p.sh shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarët e familjes së ngushtë dhe sigurimi i vendbanimit, nëse nuk kanë.

Ai tha se sindikata e ka dorëzuar një peticion në Kuvendin e Kosovës me rreth 5.700 nënshkrime për pakënaqësitë e pjesëtarëve të policisë, për të cilin nuk ka marrë përgjigje.

"Ne jemi të gatshëm për të biseduar dhe shpresojmë që Qeveria e Kosovës të këtë mirëkuptim dhe të na ftojë në takim për ta gjetur një zgjidhje", shtoi ai.

Ai theksoi se 86 policë kanë dhënë dorëheqje “në mënyrë vullnetare” nga Policia e Kosovës vetëm në vitin 2023, kryesisht për shkak të pakënaqësive.

Shtesat e miratuara nga Qeveria

Rreth dy javë pas protestës së 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim për miratimin e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë, tha ajo më 16 nëntor.

Ndërkaq, për Njësinë për Eksplozivët dhe Deminim, ajo tha se ndau shtesa në vlerë prej 120 eurosh. Shtesa u miratuan edhe për të gjitha njësitë e tjera policore.

SHIKONI EDHE: Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët

Pas miratimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të Policisë së Kosovës.

“Jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjve të punës për Policinë e Kosovë, në mënyrë që, krahas lehtësimit në punë, të ndikojmë në uljen e rrezikut gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”, tha Kurti më 16 nëntor.

Shtesat për rrezikshmëri, sipas Kurti, filluan të aplikohen nga paga e muajit nëntor.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.