Vapa shtyn kosovarët drejt pishinave

  • AFP

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se ditëve në vijim situata meteorologjike në vend mund të krijojë kushte edhe për alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta.

Sipas IHMK-së, alarmi i kuq nënkupton fazën kur temperatura e ajrit e tejkalon temperaturën e trupit të njeriut (37 gradë) dhe “atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”. 

Kur moti të nxehet, trupi duhet të punojë më shumë për ta ulur temperaturën. Prandaj i hap enët e gjakut afër lëkurës për ta nxjerrë nxehtësinë dhe nis të djersijë.

Disa njerëz janë më të cenueshëm ndaj temperaturave të larta, përfshirë foshnjat dhe të moshuarit, por edhe personat që duhet të jenë aktivë apo që janë më të ekspozuar ndaj temperaturave të larta, siç janë të pastrehët.

Një vajzë e vogël shikon një person teksa hidhet në një pishinë.  

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie nga rrezet e diellit, veçanërisht gjatë intervalit kohor prej orës 10:00 deri 17:00.

I nxehti ndikon në shëndet në disa mënyra. Lodhja nga temperaturat e larta - përfshirë marramendjen, kokëdhembjen, dridhjen e trupit dhe etjen - mund të prekin këdo dhe zakonisht këto simptoma nuk janë serioze nëse një person freskohet brenda 30 minutash.

Sëmundjet kronike, përfshirë ato të frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare, por edhe diabeti, po ashtu mund të rrisin rrezikun dhe të përkeqësohen si pasojë e të nxehtit.

Stresi nga i nxehti po ashtu mund të kontribuojë në përkeqësim të shëndetit mendor. Rritja e temperaturave gjatë natës mund të shkaktojë telashe me gjumin, duke përkeqësuar shëndetin mendor.
 

I nxehti ekstrem gjithashtu paraqet edhe rreziqe të tjera sekondare. Temperaturat më të nxehta inkurajojnë rritjen e baktereve dhe algave. 
 

Në Kosovë temperaturat në fillim të javës ishin 30-34 gradë celsius, ndërsa nga mesi i javës ato pritet të arrijnë deri në 37 gradë celsius.