Senegal: 11 foshnja vdesin si pasojë e zjarrit në spital

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Njëmbëdhjetë foshnja kanë vdekur si pasojë e zjarrit në qytetin Tivauan në Senegal, ka thënë presidenti i shtetit, Macky Sall.

Zjarri ka shpërthyer në departamentin e maternitetit, ka thënë Sall përmes një postimi në Twitter.

Raportimet fillestare sugjerojnë se zjarri është shkaktuar nga një lidhje e shkurtër, sipas politikanëve të Senegalit.

Tri foshnja kanë arritur të shpëtohen nga zjarri, kanë thënë autoritetet lokale.

Zjarri është përhapur shumë shpejt dhe shërbimet e emergjencës janë ende në vendin e ngjarjes.

Spitali është inauguruar së fundi, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP, duke cituar raportimet lokale.

Presidenti Sall u ka shprehur ngushëllime nënave dhe familjarëve të foshnjave.

“Situata është shumë fatkeqe dhe jashtëzakonisht e dhimbshme”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Abdoulaye Diouf Sarr.

Ky incident ka nxitur një valë kritikash në rrjetet sociale rreth kujdesit të shtetit ndaj sektorit të shëndetësisë.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur vitin e kaluar në Senegal, pasi katër foshnja kanë vdekur si pasojë e zjarrit në një spital materniteti.

Atëbotë autoritetet patën thënë se rryma dhe një ftohës ajri kanë qenë fajtorë për zjarrin.