SHBA: Një vajzë tetëvjeçare vdes në mbajtje kufitare

Policia kufitare në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Një vajzë tetëvjeçare ka vdekur sa ka qenë në mbajtje në Doganat e Shteteve të Bashkuara, për shkak të një urgjence mjekësore, kanë thënë autoritetet.

Vajza dhe familja e saj, janë ndaluar në një zonë kufitare në Harlingen të Teksasit, dhe më pas ajo është sëmurë.

Agjencia kufitare amerikane ka thënë se ajo është transportuar në një spital lokal, ku është konfirmuar vdekja e saj.

Agjencia për Doganë dhe Mbrojtje Kufitare, ka thënë se do ta hetojë incidentin dhe se Departamenti i Sigurisë Kombëtare, është njoftuar për rastin.

Ky rast shënon vdekjen e parë në territorin e doganës amerikane, në vjetët e fundit.

Qeveria nuk ka dhënë informacione për urgjencën mjekësore që e ka përjetuar vajza, dhe as rrethanat tjera për vdekjen e saj.

Ky lajm vjen një javë pasi një migrant 17-vjeçar, i cili ka arritur në SHBA, i pashoqëruar, ka vdekur në një qendër strehimi në Florida.

Për raste të tilla raportohet pas pezullimit të politikës së ashtuquajtur Titulli 42 – e zbatuar në kohën e pandemisë së koronavirusit – e cila u ka mundësuar autoriteteve të dëbojnë migrantët që e kanë kaluar ilegalisht kufirin.

Zyrtarët kufitarë janë përgatitur së fundi për një valë të re migrantësh – për shkak të pezullimit të vendimit – ndonëse të dhënat fillestare tregojnë se shifrat janë shumë më të vogla sesa është pritur.