Suedezi Svante Paabo fiton Çmimin Nobel për Mjekësi

Shkencëtari, Svante Paabo.

Shkencëtari suedez, Svante Paabo, ka fituar Çmimin Nobel për Mjekësi, për shkak të zbulimeve të lidhura me evolucionin njerëzor.

Ky çmim, ndër më prestigjiozët në botën shkencore, është ndarë nga Asambleja për Nobel e Institutit Karolinska në Suedi dhe ka vlerën e 900.357 dollarëve amerikanë.

Me Nobelin për Mjekësi nis sezoni i ndarjes së çmimeve Nobel në fusha të ndryshme, përfshirë atë për paqe, letërsi, fizikë, kimi dhe ekonomi.

“Ai ka mbetur pa fjalë, ka qenë shumë i lumtur”, ka thënë Thomas Perlmann, Sekretari i Komitetit të Nobelit në fushën e mjekësisë, i cili ia ka kumtuar Paabos lajmin.

“Ai më ka pyetur nëse mund të ndante lajmin me dikë, nëse mund t’i tregonte dikujt, dhe unë i thashë se është në rregull. Ai ka qenë tej mase i gëzuar për këtë çmim”.

Paabo, djali i biokimistit, Sune Bergström - po ashtu fitues i Çmimit Nobel - është vlerësuar për transformimin e studimit të origjinës njerëzore, duke krijuar qasje tjera që mundësojnë analizimin e ADN-së nga gjurmët arkeologjike dhe paleontologjike.

Në mesin e studimeve të tij përfshihet edhe ajo e një gjeni të neandertalëve, që shpërfaq lidhjen mes qenieve njerëzore që nuk ekzistojnë më dhe njeriut të ditëve të sotme.