Një muaj paraburgim për të dyshuarin për zjarrvënie në veri

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit M.B, nën dyshimet se ka kryer pesë vepra penale.

Më 1 prill, Policia e Kosovës e ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale.

I njëjti person dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS - Republika e Kosovës - në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, ditë më parë.

Sipas Gjykatës, i pandehuri dyshohet për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si dhe zjarrvënie”.

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë më 1 prill se i arrestuari ka qenë “pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’", dhe se më parë e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke i plagosur dy zyrtarë të saj.

Ai, po ashtu, ka thënë se pas djegies së veturave në veri qëndron Beogradi, me qëllimin që të shkaktojë frikë te qytetarët.

SHIKONI EDHE: Ambasadorët e SHBA-së dhe Gjermanisë reagojnë pas djegies së veturave në veri

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e ka cilësuar arrestimin në Mitrovicë të Veriut si "vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb".

Kjo parti nuk e ka dënuar djegien e veturave në veri dhe as nuk ka pasur reagime as nga Beogradi zyrtar.

Pas arrestimit të 1 prillit, Lista Serbe ka thënë se i arrestuari nga Zubin Potoku “akuzohet për krime të rënda pa asnjë provë”.

Kjo parti është zotuar se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të ketë “reagim nga serbët”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe.

SHIKONI EDHE: Osmani: Incidentet në veri synojnë krijimin e një klime frike dhe pasigurie

Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.

Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.

SHIKONI EDHE: Si po shkon procesi i ndërrimit të targave serbe?

Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.