Nis zbatimi i procesit të verifikimit në Gjyqësor

Foto ilustruese

Me hapjen e Kapitullit 23, që ka të bëjë me sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, Maqedonia edhe formalisht ka nisur procesin e verifikimit të njohur si “screening”, që paraqet fillimin e fazës finale të përgatitjeve për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, nga Brukseli ka theksuar se Maqedonia po shënon një pikë kthese historike, duke filluar edhe formalisht me procesin e “screeningut”.

“Maqedonia pakthyeshëm po lëvizë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Nga kjo rrugë nuk ka kthim mbrapa”, ka theksuar Osmani.

Your browser doesn’t support HTML5

Udhëkryqi historik

Ndërkaq, euro-komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn, ka theksuar se është real afati që deri më 2025, Maqedonia të anëtarësohet në BE.

“Porosia kryesore për delegacionin dhe për qytetarët e Maqedonisë është që puna ka filluar, perspektiva për BE do të materializohet. Por, kjo nënkupton shumë punë dhe shumë detyra shtëpie, theksi vihet te shteti i së drejtës”, ka deklaruar Hahn.

Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë fazë, ekspertët e Komisionit Evropian kanë për detyrë t’i sqarojnë obligimet që duhet të bartë administrata maqedonase për përgatitjen e vendit që të bëhet pjesë e familjes evropiane,

“Faza e parë e procesit të verifikimit të njohur si ‘screening’ në fakt është fazë do ta quaja si fazë sqaruese, me ç`rast përfaqësuesit e BE-së, drejtorisë e cila është përgjegjëse për integrimet, si dhe drejtoritë në gjyqësor dhe ata që kanë të bëjnë me të drejtat themelore te njeriut, do t’ua sqarojnë obligimet që duhet të ndërmarrë Maqedonia si shtet, për anëtarësimin në familjen evropiane”, ka thënë Kacarska.

SHIKONI EDHE: Mogherini i thur lëvdata Maqedonisë

Besa Arifi, ligjëruese e së Drejtës Penale në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë ka vlerësuar se pjesa më e rëndësishme e procesit të “screeningut” do të jetë ajo e detektimit të sfidave për t’u zbatuar në praktikë ligjet evropiane.

“Sigurisht se Maqedonia do ta ketë shumë të vështirë që të vërtetojë se ka bërë hapa të rëndësishëm në sistemin gjyqësor, megjithëse ky proces mendoj se nuk është i pamundur”.

“Pikat më të vështira do të jenë sigurimi i Bashkimit Evropian se Gjyqësori në Maqedoni është i pavarur nga pushteti ekzekutiv, sepse në këtë drejtim nuk mjafton vetëm të ndryshohen ligjet në Parlament, por do të duhet që kjo gjë të dëshmohet edhe në praktikë”, ka thënë Arifi.

Ndryshe, Maqedonia në qershor të këtij viti mori mbështetje të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, përkatësisht fillimin e bisedimeve në qershor të vitit 2019, ndërkohë që është obliguar të punojë intensivisht në realizmin e reformave si dhe jetësimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.