Një gjykatë ruse ka dënuar gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, me 16 vjet burgim. Gazetari amerikan u gjet fajtor për akuzën për spiunazh, që ai, Qeveria amerikane dhe media ku punon vazhdomisht e kanë mohuar.
Më herët gjatë 19 korrikut, prokurorët rusë kërkuar që gazetari i burgosur amerikan, Evan Gershkovich të dënohet me 18 vjet burgim.
Qeveria amerikane dhe gazeta për të cilën ka punuar Gershkovich, e përditshmja amerikane, Wall Street Journal, e kanë quajtur ndalimin e tij si të motivuar politikisht dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Një gjykatë ruse të premten zhvilloi seancën përmbyllëse për rastin e gazetarit, i cili po mbahet në burgun rus prej vitit të kaluar.
Procesi gjyqësor është mbajtur me dyer të mbyllura në Jekaterinburg, ku edhe është ndaluar Gershkovich.
Ai është arrestuar më 29 mars 2023, sa ka qenë në një udhëtim pune, dhe është akuzuar se ka tentuar të mbledhë sekrete ushtarake për t’ia dhënë Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në SHBA.
SHIKONI EDHE: Kush është Evan Gershkovich dhe për çka e akuzon atë Rusia?Ai është gazetari i parë që është arrestuar në Rusi nën akuzat për spiunim prej Luftës së Ftohtë.
Gershkovich, 32-vjeçar – ka lindur në SHBA dhe është i biri i imigrantëve që janë shpërngulur nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm.
Ambasada amerikane në Moskë ka thënë se autoritetet ruse kanë dështuar që të ofrojnë dëshmi për akuzat ndaj gazetarit dhe ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Arrestimi i tij ka ndodhur rreth një vit pasi Rusia ka miratuar ligje të reja, të cilat e kanë bërë vepër penale kritikën ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, të cilën Moska e quan “operacion special ushtarak”.
Gershkovich është një prej dy gazetarëve amerikanë që po mbahen në burgjet ruse.
Alsu Kurmasheva, me shtetësi ruso-amerikane, gazetare veterane e Radios Evropa e Lirë (REL), është ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.
Një regjistrim i tillë është i detyrueshëm sipas një ligji rus që synon të shënjestrojë gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që nuk kanë qëndrime të njëjta me pushtetin.
SHIKONI EDHE: Biden bën thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur amerikanëKurmasheva është akuzuar ndërkohë edhe për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe mund të përballet me 10 vjet burgim.
Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane kanë thënë se akuzat ndaj saj janë hakmarrje për punën që ka bërë si gazetare për REL-in në selinë e kompanisë në Pragë.