Ngritje pa kontroll e çmimeve

Çmimi për një litër vaj në Kosovë, nga 2.19 euro, të enjten u bë 3.49 euro.

“A ka Kosova inspektorë?” - ishte njëra ndër pyetjet e shpeshta në rrjete sociale të enjten më 10 mars, pasi çmimi për një litër vaj brenda natës nga 2.19 euro u bë 3.49 euro. Më 4 mars, mesatarja e çmimit për një litër vaj ishte rreth 1.70 euro.

Njohës të fushës së tregtisë dhe mbrojtës të konsumatorit thonë se çmimet po rriten pa kontroll dhe shteti nuk po arrin të bëjë asgjë.

Çmimet janë në trend të rritjes për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës. Lufta në Ukrainë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë, naftës dhe gazit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në një kompani prodhuese të vajit në Kosovë, tha se çmimi i vajit në vend është më i larti në botë. Sipas tij, këto çmime kanë rritje artificiale dhe të paarsyeshme.

SHIKONI EDHE: Kurti: Çmimi i vajit, artificial dhe i paarsyeshëm

“Këto çmime janë të fryra dhe këto bëhen nga faktori njeri dhe jo nga gjendja objektive në terren”, deklaroi kryeministri Kurti.

“Kjo ka të bëjë me njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore dhe jo nga gjendja reale në vendin tonë”, shtoi Kurti. Sipas tij, inspektorët janë duke bërë dokumentimin e të gjitha shkeljeve rreth ngritjes së çmimeve dhe pritet të ndërmerren masa.

“Tregtarët po e keqpërdorin situatën”

Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, thotë për Radion Evropa e Lirë se prodhuesit dhe tregtarët e kanë keqpërdoruar situatën dhe kanë bërë rritje të çmimeve sipas dëshirës.

“Dikush mes prodhuesish tregtarë po e shfrytëzon me mjeshtri momentumin dhe po manipulon me çmime. Në kushte normale, sikur të kishte Inspektorat, Qeveri e sistem të drejtësisë të duhur, një pjesë shumë e madhe e atyre që po e keqpërdorin situatën dhe po rrisin çmimet do të duhej të përgjigjeshin para ligjit”, thotë Kaçaniku.

SHIKONI EDHE: Çmimet rriten sërish 

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga tregtarët në Prishtinë ku është vërejtur shtrenjtimi i çmimeve, por ata nuk janë përgjigjur. Nuk është përgjigjur as Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Kush mund t’i kontrollojë çmimet?

Dy mekanizma që mund t’i kontrollojnë parregullsitë eventuale me çmime në treg janë Inspektorati i Tregut në Kosovë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Që nga 9 qershori i vitit të kaluar, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është jofunksional për shkak se kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të këtij komisioni u ka skaduar mandati pesëvjeçar.

Qeveria, më 9 mars, i ka propozuar Kuvendit të Kosovës përbërjen e re të këtij komisioni.

SHIKONI EDHE: Sasi të kufizuara të naftës

Në anën tjetër, Inspektorati i Tregut nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a janë ndërmarrë masa apo a janë shqiptuar gjoba.

Megjithatë, të enjten në mbrëmje Inspektorati i Tregut në Kosovë ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

Më herët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se disa operatorë kanë zbrazur dje (9 mars) raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse, sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër.

SHIKONI EDHE: Mbyllen dy depo të operatorëve ekonomikë

Edhe, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se rritja e çmimeve është e pakontrolluar.

Sipas tij, për këtë lëvizje artificiale të çmimeve fajtor është shteti, që, sipas tij, nuk po arrin ta kontrollojë.

SHIKONI EDHE:

Valë e re çmimeshKosovës i vihet në pikëpyetje produkti i sigurisë kombëtare

Ai thotë se Inspektorati i Tregut vazhdimisht ka vuajtur për shkak të numrit të vogël të inspektorëve, por në situatën të cilën është vendi, Mulaj thotë se ata duhet të ndërmarrin diçka.

“Edhe me këta pak inspektorë, nëse shpërndahen në pika të ndryshme, nëse gjobat janë në harmoni me çrregullimin, nëse këto gjoba do të bëheshin publike, si dhe nëse Qeveria do t’u bënte thirrje inspektorëve të jenë të ashpër në raport me këto çrregullime, kujdesi i bizneseve do të jetë më i madh”, thotë Mulaj.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thuhet se numri i inspektorëve në Kosovë është 120.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka thënë të enjten se kanë mungesë të inspektorëve, porse synimi i tyre është të rritet numri.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria e Kosovës të funksionalizojë mekanizmat që do të bënin kontrollin e çmimeve të tregut.

“E vetmja mundësi është që institucionet e shtetit të reagojnë në këtë situatë”, thotë Shala, duke shtuar se shteti është treguar i papërgjegjshëm në këtë situatë.

Faturën e rritjes së çmimeve dhe mosreagimin e institucioneve, thotë Shala, po e paguajnë qytetarët.

Your browser doesn’t support HTML5

“Speca nuk blejmë kurrë”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në anën tjetër, e ka kritikuar Kuvendin e Kosovës që nuk ka pasur debat në nivel politikash, as iniciativa konkrete ligjore lidhur me situatën socio-ekonomike.

“Kuvendi i Kosovës, në këtë periudhë krize për vendin, do të duhej të luante një rol proaktiv në përmbushjen e obligimeve kushtetuese që ka, duke shtyrë përpara politika që përmirësojnë gjendjen ekonomike të qytetarëve, pas rritjes enorme të çmimeve”.

Qytetarët: Çmimet jashtë normales

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se çmimet janë bërë gati të papërballueshme.

“Ka dukshëm rritje të çmimeve, kryesisht të vajit. P.sh dje ka qenë 2.20 euro sot 3.50 euro. Gjithashtu, edhe mielli dje ka qenë 5 kilogramë 3.88 euro, kurse sot 4,89 euro. Kjo është jashtë normales, e papërballueshme”, thotë Sara Hoxha nga Prishtina.

Ngjashëm shprehet edhe Naser Krasniqi:

“Çdo ditë kur shkoj në shitore çmimet janë ndryshe, mos të flas çdo ditë, tash çdo orë. Nuk e di si do t’ia bëjmë”.

Kosova është përballur me rritje çmimesh edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ka arritur në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në janar të 2021-shit.