Çfarë do të thotë ngritja e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë?

Ushtria serbe në gjendje të gatishmërisë së lartë luftarake, 31 maj 2023.

Forcat speciale të Ushtrisë së Serbisë, me pajisje luftarake, në pozicionet afër Kosovës - është një nga pamjet e “shkallës më të lartë të gatishmërisë luftarake” të forcave të armatosura serbe, të shpallur më 25 maj, të cilën e ka publikuar Ministria e Mbrojtjes.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë. Shteti i ka përcaktuar vijat e kuqe, po flasim për skenarë, mos e dhëntë Zoti, nëse dikush vret apo dëbon serbët. Atëherë Serbia nuk do të mund të rrinte duarkryq”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, më 31 maj.

Ai tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), ndër të tjera, se ushtria do të jetë në gatishmëri të lartë për sa kohë që ekziston rreziku për sigurinë në Kosovë.

Po atë ditë, ministri e shqyrtoi me udhëheqjen ushtarake situatën e sigurisë, në Rashkë, 250 kilometra në jugperëndim të Beogradit, si dhe vizitoi një pjesë të forcave ushtarake të dislokuara.

*Video: Ministri serb viziton një pjesë të forcave aktive të ushtrisë serbe

Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë që nga e premtja, më 26 maj. Ato kanë rezultuar me përplasje ndërmjet serbëve lokalë dhe Policisë së Kosovës, si dhe me KFOR-in, për shkak të vendosjes së kryetarëve, të zgjedhur më 23 prill, në objektet komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Paralajmërim nga Uashingtoni

“Serbia duhet të zvogëlojë statusin e sigurisë së ushtrisë”, deklaroi, ndër të tjera, Antony Blinken, sekretar amerikan i Shtetit, më 30 maj.

Kjo porosi erdhi pas thirrjeve nga pozitat më të larta në bashkësinë ndërkombëtare, NATO dhe Bashkimi Evropian, për qetësim të situatës, pas lëndimit të dhjetëra qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

SHIKONI EDHE: Blinken paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Tensionet pengojnë integrimet euroatlantike

Millovan Drecun, zyrtar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se thirrjen e diplomatit amerikan, ai e sheh në kontekst të plotë.

“Më duket se pjesa e parë e deklaratës së Blinkenit është një mesazh për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ai duhet të qetësojë situatën dhe të tërheqë trupat e tij nga veriu. Dhe pastaj, Serbia duhet të ulë nivelin e gatishmërisë luftarake”, tha Drecun.

“KFOR-i zhgënjeu Beogradin”

Zyrtarët më të lartë në Beograd, kryeministrja Ana Bërnabiq, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e shpjeguan vendimin për vendosjen e ushtrisë në gatishmërinë më të lartë, me faktin se, siç thanë ata, KFOR-i nuk arriti të ofrojë siguri për serbët në veri të Kosovës.

Sipas rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe sipas marrëveshjes ushtarako-teknike të arritur në Kumanovë, në qershorin e vitit 1999 - pas përfundimit të ndërhyrjes së NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë dhe tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova - KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në Kosovë.

Në misionin e NATO-s në Kosovës, KFOR, janë gati 3.800 ushtarë nga 27 vende, disa prej të cilëve nuk janë anëtarë të kësaj aleance. Prania më e madhe e personelit ushtarak është nga SHBA-ja, rreth 600 pjesëtarë.

Më 30 maj, NATO-ja njoftoi për vendosjen e 700 ushtarëve shtesë në Kosovë.
“Dhuna duhet të ndalet”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

SHIKONI EDHE: Kosova e Serbia e fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet në veri

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë, në terren

Zyra e NATO-s në Beograd nuk ka mundur t’u përgjigjet pyetjeve të REL-it lidhur me krizën në veri të Kosovës, gjegjësisht, lidhur me faktin se njësitë e ushtrisë serbe janë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, afër territorit ku KFOR-i është përgjegjës për sigurinë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me ngritjen e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë, gjegjësisht, për qëllimin dhe rezultatet e një mase të tillë.

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, më 31 maj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka vizituar një pjesë të “forcave aktive, të dislokuara si masë parandaluese”.

Ministria publikoi foto nga vendi i ngjarjes, pa specifikuar vendndodhjen, ku shihen oficerët që mbikëqyrin zonën, transportues të blinduar dhe ushtria me armë personale, mjete komunikimi dhe me qen shërbimi.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë gjatë vizitës që u bëri forcave ushtarake në Rashkë, më 31 maj 2023.

Millovan Drecun thotë se kjo dërgon një paralajmërim parandalues.

“Dislokimi i trupave tona është faktori vendimtar që do ta sprapsë Kurtin nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës. Pra, këtu nuk ka synime apo plane agresive. Ne po përpiqemi ta sjellim krizën në një situatë që nuk do të nënkuptonte kapërcim të vijave të kuqe, e cila më pas mund të shpërthejë realisht në një konflikt më të gjerë. Ne insistojmë që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij dhe të sigurojë një mjedis të sigurt”, thotë Drecun.

Më 30 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it – SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe – dhe të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

Siç njoftuan nga kabineti i tij, ai ka kërkuar që Prishtina të tërheqë njësitë speciale dhe kryetarët e komunave nga ndërtesat komunale në veri, ndërsa ambasadorët kanë shprehur shqetësimin për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe kanë kërkuar dialog për të gjetur një rrugëdalje politike nga kriza.

*Video me pamje nga dhuna në veri pas intervenimit të KFOR-it

‘Ngritja’ e shpeshtë e ushtrisë

Vendosja aktuale e ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë të gatishmërisë, është bërë për herë të pestë në pesë vjetët e fundit.

Secila prej tyre ishte e urdhëruar për shkak të ngjarjeve në Kosovë, ndërsa ato të mëparshmet, përfunduan me kthimin në kushte normale, pas qetësimit të tensioneve.

Niveli i gatishmërisë luftarake është ngritur në shtator të vitit 2021, pas bllokadave dhe protestave të serbëve në veri të Kosovës, për shkak të regjistrimit të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës.

E njëjta masë u urdhërua në maj të vitit 2019, pas demonstratave të serbëve në veri të Kosovës për shkak të arrestimit të policëve serbë të dyshuar për korrupsion.

SHIKONI EDHE: Pse Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe policisë?

Ushtria e Serbisë ishte në gjendje të gatishmërisë më të lartë luftarake, në gusht të vitit 2018, si dhe një muaj më vonë, për shkak të shkuarjes së njësisë speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të liqenit të Ujmanit (Gazivodës), duke e shoqëruar presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Të gjitha ato vendime janë komunikuar nga presidenti Vuçiq.

Mirosllav Aleksiq, anëtar i Komisionit parlamentar të Serbisë për mbrojtje dhe punë të brendshme, nga Partia Popullore opozitare, e cila është kundër pavarësisë së Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk e sheh “ngritjen e ushtrisë” si rrugë drejt konfliktit.

“Aleksandar Vuçiq nuk guxon t’ia lejojë vetes këtë, sepse kjo do të nënkuptonte luftë me aleancën e NATO-s. Më duket se, ai dëshiron që, përmes mesazheve të rrezikshme, të arsyetojë politikën e tij katastrofale, sepse është fakt që, para se të vinte në pushtet në vitin 2012, njësitë e sigurisë së Kosovës nuk mund të shkonin në veri, ndërkaq tani janë atje”, tha Aleksiq.

Situatës aktuale të tensionuar të sigurisë i paraprinë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, më 23 prill, pasi krerët e komunave të Leposaviqit, Zveçanit, Zubina Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, dhanë dorëheqje dhe u larguan nga institucionet, në nëntor të vitit 2022.

Kjo ndodhi pas vendimit të Qeverisë në Prishtinë që qytetarët e Kosovës nuk mund të ngasin me vetura me targa të Serbisë.

Për këtë shkak, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës – bojkotoi zgjedhjet në prill dhe partitë shqiptare fituan pushtetin.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, mori detyrën më 19 maj, pa incidente, ndërkaq hyrja e kryetarëve të komunave tjera në objektet komunale, me ndihmën e policisë, kundërshtohet nga serbët lokalë me anë të demonstratave, me argumentin se nuk i konsiderojnë si përfaqësues të tyre legjitimë.

SHIKONI EDHE: Betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, nënkryetarja - serbe

Diplomacia në vend të armëve

Bojan Dimitrijeviq, i cili ishte zëvendësministër i Mbrojtjes i Serbisë nga viti 2003 deri në vitin 2012, kur qeveria aktuale mori detyrën, thekson se lëvizjet ushtarake, më parë, nuk ishin bërë të ditura përmes mediave.

“Më duket se bëhet fjalë për manifestim politik, me të cilin qeveria dëshiron t’i bindë qytetarët se po kujdeset për serbët në Kosovë. Pra, nëse ai nuk mund ta bëjë atë politikisht, atëherë ai e bën atë me kërcënimin e vendosjes së trupave”, konsideron Dimitrijeviq, i cili tani është këshilltar i Institutit për Histori Bashkëkohore.

Zyrtari i SNS-së, Millovan Drecun, thotë se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare është kyç.

“Unë pres që do të ketë mjaft urtësi dhe racionalizëm politik, që kjo krizë jashtëzakonisht e rrezikshme të bartet në ujërat e dialogut dhe të kërkohet një zgjidhje politike”, tha Drecun.

Bojan Dimitrijeviq thotë se Serbia dhe Kosova duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme.

“Në momentin që angazhohen forcat e armatosura, ekziston mundësia e konfliktit. Tensionet janë të larta dhe epilogu nuk mund të parashikohet me siguri. Në fund, ushtria është një lodër e shtrenjtë dhe nuk duhet ngritur aq lehtë. Më mirë është që diplomacia të punojë dhe ta zgjidhë problemin”, theksoi Bojan Dimitrijeviq.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më 30 maj, njoftoi se Qeveria e Kosovës nuk i ka koordinuar me Uashingtonin lëvizjet në veri, përmes së cilave, me ndihmën e policisë i kanë futur kryetarët e rinj në ndërtesat komunale.

Si pasojë e veprimeve të tilla, është anuluar pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Kosovë.

Përgatiti: Bekim Bislimi