Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rastin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Fjala është për Labinot Grudën dhe Kadri Shalën.
Prokuroria thotë se “veprimet inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2.077.995.90 euro”.
Labinot Gruda akuzohet për veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes si dhe shpëlarje e parasë, në bashkëkryerje me të pandehurin Kadri Shala.
I pandehuri Kadri Shala akuzohet për shpëlarje të parasë, në bashkëveprim me të pandehurin tjetër, dhe për veprën penale ndihma në ndërlidhje me veprën penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.
SHIKONI EDHE: Vjedhja në Thesar: Prokuroria thotë se ka ngrirë rreth 600 mijë euroRasti i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit pati ndodhur në tetor të vitit 2020.
Labinot Gruda, atëbotë punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.
Njëri nga pronarët e këtij biznesi ishte edhe Kadri Shala dhe një person tjetër me inicialet V.SH. Veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërkaq veprimatri dytësore demolimin e objekteve.
Më 23 tetor, 2020, Labinot Gruda u deklarua i pafajshëm në gjykatë. Ai tha se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.
Më 25 shkurt Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se deri në atë kohë ka ngrirë rreth 600 mijë euro që lidhen me vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.
Atëbotë prokuroria pati deklaruar se janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat ishin transferuar paratë.
SHIKONI EDHE: Dy milionëshi i ‘harruar’Në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sipas Prokurorisë Speciale janë bërë dy kërkesa adresuar autoriteteve të Turqisë, lidhur me transferin prej 440.000 eurove, të realizuara nga llogaria e “LDA Group Sh.p,k”.