Ngrihet aktakuzë ndaj një burri për vrasjen e bashkëshortes në Pejë

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur të martën aktakuzë kundër një burri të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së vet në fillim të këtij viti.

Prokurorët e ngarkojnë të dyshuarin me inicialet E.L me veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, tha Prokuroria e Pejës në një njoftim.

Ai akuzohet se e vrau bashkëshorten e vet me inicialet Gj.U në banesën e tyre në qytetin perëndimor të Kosovës, më 16 prill, para se të vetëdorëzohej në polici në ditën e njëjtë.

SHIKONI EDHE: Një grua vritet në Pejë, bashkëshorti arrestohet si i dyshuar

Prokuroria tha në një njoftim për media se pas një hetimi disamujor dhe mbledhjes së dëshmive vendosi të ngrejë aktakuzë ndaj të dyshuarit.

Sipas aktakuzës, ai e qëlloi bashkëshorten për vdekje me plumb në kokë mëngjesin e 16 prillit “për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën”.

“E vrava gruan dhe dërgoje një patrullë të Policisë”, u kishte thënë ai autoriteteve të rendit, sipas aktakuzës.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, tha Prokuroria.

Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.

Ai akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.