Imazhet mahnitëse me ngjyra, që kohët e fundit janë të disponueshme me rezolucion të lartë nga një muze francez, kapin pjesën më të madhe të botës, ndërsa ajo u transformua nga teknologjia dhe gjeopolitika 100 vjet më parë.
Ky imazh i një të riu serb që ther një dele në vitin 1913 në Krushevc, në Serbinë qendrore, është një nga dhjetëra mijëra fotot historike me ngjyra, të disponueshme së fundmi në rezolucion të lartë nga Muzeu Albert Kahn i Francës.
Muzeu, në perëndim të Parisit, u rihap në prill pas një rinovimi arkitektonik prej vitesh, gjatë të cilit ata gjithashtu transformuan portalin e tyre digjital.
Rreth 72.000 foto me rezolucion të lartë nga një projekt i quajtur Arkivi i Planetit, janë vënë në dispozicion për shkarkim nga muzeu.
Imazhet mund t'i shihje edhe më parë, përmes një faqe interneti të vështirë për t'u naviguar, porse ato kishin cilësi të dobët .
Projekti Arkivat e Planetit u lansua në vitin 1909 nga bankieri francez, Albert Kahn, menjëherë pasi autokromi, teknologjia e parë e zbatueshme e filmave me ngjyra, u bë e disponueshme në treg.
Kahn ishte një titan bankar francez, i cili dhuroi shumë nga pasuria e tij në projekte filantropike.
Me projektin e tij ambicioz të fotografisë, Kahn u përpoq të dokumentonte botën teksa po transformohej nga globalizimi.
Në disa raste, fotografët e Kahnit bënin fotot e para me ngjyra të vendeve ku punonin.
Jean Brunhes, i cili ishte drejtor i projektit të Kahnit, mblodhi Arkivat e Planetit, "duke përdorur instrumentet që sapo kanë lindur, për të kapur dhe ruajtur fakte të planetit që janë gati të vdesin".
Dhjetëra fotografë prej më të mirëve të Francës, u caktuan nga Kahn që të udhëtonin nëpër botë, për të "dokumentuar dhe ruajtur një herë e mirë disa aspekte, praktika dhe mënyra të veprimtarisë njerëzore, zhdukja fatale e të cilave është vetëm çështje kohe", shpjegoi bankieri.
Një zëdhënës i Muzeut Albert Kahn tha se arkivi i rinovuar në internet "do të lejojë zbulimin e një përzgjedhjeje të gjerë veprash".
Zëdhënësi i muzeut shtoi se "ripërdorimi i imazheve do të inkurajohet gjerësisht falë disponueshmërisë në internet të një pjese të madhe të koleksioneve nën licencën e Creative Commons".
Teknologjia e filmit me ngjyra autokrom e përdorur nga fotografët e Kahnit, u prezantua për herë të parë në Francë në vitin 1907 dhe menjëherë shkaktoi një sensacion.
Një komentator vuri në dukje në vitin 1908 se teknika autokrom përsëriste "ngjyrat e natyrës në mënyrë befasuese të vërtetë".
Filmi autokrom përdori miliona "pikselë" të kokrrave të ngjyrosura të niseshtës së patateve të shtypura përmes emulsionit për të krijuar foto me ngjyra.
Imazhet me hije pastel dhe pika-pika që prodhonte autokromi, u përshkruan si "ngjyra e ëndrrave".
Titulli origjinal në foton e mësipërme vë në dukje se dy bucela me limonadë ishin pikturuar me ngjyrat blu, të kuqe dhe të bardhë të flamurit serb, gjë që tregon se ngjyrat e fotografive autokrome janë dukshëm më të zbehta kur krahasohen me realitetin.
Pllakat fotografike autokrome ishin të lehta për t'u përdorur, por të shtrenjta për t'u blerë dhe të vështira për t'u ekspozuar.
Disavantazhi kryesor i teknologjisë autokrome, thanë përdoruesit, ishte ndjeshmëria e ulët ndaj dritës, gjë që kërkonte ekspozime të gjata.
Koha e ekspozimit për fotot autokrome edhe në ditët e ndritshme shtrihej në sekonda, që do të thotë se skenat e zhurmshme të rrugës ishin të pamundura për t'u kapur në mënyrë adekuate dhe portretet duhej të vendoseshin në mënyrë strikte.
Fotografët e porositur nga Kahn, udhëtuan në më shumë se 50 vende dhe realizuan 72.000 foto me ngjyra, si dhe rreth 100 orë pamje filmike bardh e zi.
Filmat fotografikë u përdorën nga fotografët e Kahnit për të kapur jetën e përditshme sa më qartë, që fotografitë me ngjyra nuk mund të bëheshin aq të qarta.
Kahn u detyrua t'i jepte fund projektit fotografik menjëherë pasi Depresioni i Madh shkatërroi tregjet financiare në botë.
Kahn falimentoi në vitin 1932. Ai vdiq në vitin 1940, menjëherë pasi forcat naziste pushtuan Francën.
Imazhet që ai dhe fotografët e tij lanë pas, janë quajtur disa nga imazhet më të rëndësishme me ngjyra të bëra ndonjëherë.