Ngacmimet shënojnë rritje në shkollat e Maqedonisë së Veriut

Ilustrim

Ndasitë e thella në aspektin social, komunikimi i tepërt në rrjetet sociale si dhe mungesa e kontrollit nga ana e prindërve, janë shkaqet kryesore që kanë çuar në rritjen e ngacmimeve si dukuri, që në vete përmban fyerjen dhe kërcënimet në formë të vazhdueshme në mesin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut.

Në bazë të një hulumtimi të realizuar nga Unioni i Nxënësve Shqiptarë të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, ka dalë në pah se pothuajse çdo i dyti nxënës ka qenë pre e ngacmimit.

“Në bazë të hulumtimit që kemi realizuar duke anketuar rreth 2 mijë nxënës të shkollave të mesme nga mosha 15 deri në moshën 19 vjeçare, 44 për qind e tyre janë shprehur se kanë qenë pre e ngacmimit dhe sipas të gjitha gjasave kjo tendencë shkon në rritje".

"Gjithashtu mund të themi se ngacmimi shndërrohet në një sjellje rutinë për nxënësit. 79% e nxënësve të anketuar vlerësojnë se më i pranishëm është ngacmimi i padukshëm, ose psikik edhe atë më shumë në relacionin mësimdhënës – nxënës por edhe midis vetë nxënësve”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Blendi Hodai kryetar i Unionit të Nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Maqedonisë, duke shtuar se kjo dukuri paraqet rrezik për ardhmërinë e nxënësve të cilët më vonë gjatë jetës mund të përballen me pasoja serioze, sidomos në aspektin emocional.

SHIKONI EDHE: Kërkohen reforma në arsim në Maqedoninë Veriore

Por, sociologët e shkollave problemin e kanë adresuar në mungesën e komunikimit në relacionin prind nxënës dhe lirinë e tepërt që ua japin prindërit fëmijëve të tyre në raport me komunikimin në rrjetet sociale, prej ku në raste të shumta buron një kulturë e vrazhdë e komunikimit.

Ndërkaq, Naser Miftari profesor në gjimnazin e Shkupit "Zef Lush Marku", për Radion Evropa e Lirë, thotë se ngacmimi shfaqet si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të rrjeteve sociale.

Miftari thotë se mediat duhet të luajnë një rol sensibilizues veçanërisht për vetëdijesimin e prindërve sa i përket ngacmimit mes të rinjve.

“Mendoj se mediumet mund të kontribuojnë shumë në të mirë ndaj gjithë kësaj qe ne e quajmë luftë kundër ngacmimit, por duhet cekur se në shumë raste këto mediume vetë paraqesin burim edhe atë të fuqishëm të bulizmit mes nxënësve.

Do të thotë ngritja e vetëdijes është e patjetërsueshme për ngritjen e vetëdijes nga pasojat e shfaqjes së kësaj dukurie.

"Duhet të punohet më shumë në ndërgjegjësimin e mbi çfarë është ngacmimi, si ndikon tek fëmijët, cilat janë pasojat e tij dhe si të parandalohet”, thotë Naser Miftari.

SHIKONI EDHE: Shkollat shqipe në Maqedoni, të mbipopulluara

Nga Drejtoria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut thonë se kanë mbështetur shumë projekte për ndërgjegjësimin e nxënësve, mësimdhënësve, por edhe prindërve për detektimin e kësaj dukurie duke theksuar se për të pasur sukses lufta kundër ngacmimit, duhet një bashkëpunim i fuqishëm mes këtyre tri hallkave.

Ndërkaq, Ilia Acevski, sociolog, thotë se institucionet arsimore duhet t'i qasen me shumë seriozitet këtij problemi. Acevski thekson se një gjë duhet kuptuar se “fjalët godasin” po aq sa lëndon goditja fizike, madje edhe më shumë.

“Ngacmimi në moshën më të re transferohet në injorim, në mungesë të kulturës elementare të komunikimit".

"Kjo dukuri duhet trajtuar me shumë profesionalizëm nga ana e institucioneve arsimore sepse pasojat barten në zhvillimin e mëtejshëm të individit”, thotë Acevski.