Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka bërë thirrje shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të dielën që t’i largojë paqeruajtësit e angazhuar në jug të Libanit, duke thënë se Hezbollahu po i shfrytëzon si “mburoja njerëzore”.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Thirrja e Netanyahut ndaj Guterresit ka ardhur një ditë pasi Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) e ka përsëritur refuzimin për t’u larguar nga zona kufitare, edhe pasi pesë pjesëtarë të saj janë plagosur, si pasojë e luftës Izrael-Hezbollah.
“Sekretar i Përgjithshëm, largojini forcat prej rrugës së dëmshme. Duhet vepruar tani, menjëherë”, ka thënë Netanyahu përmes një video-mesazhi të lëshuar nga zyra e tij.
Ai ka thënë se forcat izraelite u kanë kërkuar paqeruajtësve disa herë që të largohen, dhe që prezenca e tyre po u shërben “terroristëve të Hezbollahut si mburojë njerëzore”.
“Refuzimi juaj për t’i evakuuar ushtarët, i bën ata pengje të Hezbollahut. Kjo rrezikon edhe ata dhe jetën e ushtarëve tanë”, ka thënë Netanyahu.
SHIKONI EDHE: Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli do të sulmojë pikat ushtarake dhe energjike në IranPor, paqeruajtësit po vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre.
“Është vendim uanim të qëndrojmë, sepse është e rëndësishme që flamuri i OKB-së të qëndrojë lart në qiell në këtë rajon, të mund të raportojmë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë zëdhënësi i forcës së OKB-së në Liban, Andrea Tenenti, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.
Ai ka thënë se Izraeli ka kërkuar që paqeruajtësit të largohen prej 29 pozicioneve në jug të Libanit.
Ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Uashingtoni është ende duke punuar për të parandaluar një luftë të madhe në Lindje të Mesme, dhe i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mbrojë civilët në Liban.
Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin - grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - në Gazë.
SHIKONI EDHE: Si do të ndikonte në ekonominë botërore një luftë direkte Izrael-Iran?