Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi raketor i Iranit kundër Izraelit dështoi dhe u zotua për hakmarrje.
“Irani bëri një gabim të madh dhe do të paguajë për të”, tha Netanyahu në një takim të kabinetit të tij.
“Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë. Ne do t’i qëndrojmë rregullit që kemi vendosur: këdo që na sulmon, do ta sulmojmë”, shtoi ai.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se sulmi të martën ishte hakmarrje për agresionin e Izraelit kundër aleatëve të tij në Liban dhe në Gazë.
Ai tha se çdo hakmarrje do të përballej me “shkatërrim të madh”.
SHIKONI EDHE: Irani sulmon Izraelin me raketa balistikeSipas ushtrisë izraelite, Irani gjuajti më shumë se 180 raketa balistike në drejtim të Izraelit.
Një zyrtar izraelit i sigurisë tha se shumica e tyre janë kapur nga Forca Ajrore e Izraelit, në bashkëpunim me Komandën Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA-së.
SHBA-ja konfirmoi se “ka kapur disa raketa” të hedhura nga Irani drejt Izraelit.
Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsëritën thirrjet për armëpushim.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet sot për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
SHIKONI EDHE: Bota reagon pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit