Kush janë neo-nazistët që po luftojnë për Rusinë në Ukrainë?

Emri i neo-nazistit rus, Aleksei Michakov, lidhet në mënyrë të besueshme me mizoritë e kryera si në Ukrainë, ashtu edhe në Siri. Fotografi nga arkivi.

Një video e publikuar në dhjetor të vitit 2020, shfaq dy burra rusë të veshur bukur – me xhaketa e kravata mëndafshi – duke pirë uiski amerikan dhe duke diskutuar për vrasjen e ukrainasve.

“Unë jam nazist. Unë jam nazist”, dëgjohet duke thënë Aleksei Milchakov, i cili ishte në fokusin e videos të publikuar në një kanal nacionalist rus në platformën YouTube.

“Nuk do të shkoj aq thellë dhe të them se unë jam nacionalist, patriot, imperialist e kështu me radhë. Do ta them troç: unë jam nazist”.

“Duhet ta kuptoni se kur e vrisni një person, e ndjeni dëshirën për gjueti. Nëse asnjëherë nuk keni shkuar në gjueti, duhet ta provoni. Është interesant”, tha ai.

SHIKONI EDHE: A është Putin një Hitler i ditëve të sotme?

Përveç të qenit një nazist famëkeq, i njohur për vrasjen e një qenushi dhe postimit të fotografive në mediat sociale duke u mburrur për këtë akt, Milchakov është kreu i një grupi paraushtarak rus i njohur me emrin Rusich, që haptas përqafon simbolizmin nazist dhe ideologjitë radikale naziste. Grupi, dhe vetë Milchakov, janë të lidhur në mënyrë të besueshme me mizoritë e kryera në Ukrainë dhe në Siri.

Së bashku me anëtarët e Lëvizjes Perandorake Ruse, një grup supermacist i bardhë që dy vjet më parë Shtetet e Bashkuara e njohën si organizatë “terroriste globale”, Rusich është një nga disa grupe të krahut të djathtë që në mënyrë aktive po luftojnë në Ukrainë, në bashkëpunim me forcat e rregullta të armatosura ruse ose me njësitë separatiste.

Sipas një raporti konfidencial të Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë, të cilin e ka siguruar Der Spiegel dhe më 22 maj ka raportuar për të, shumë ekstremistë të djathtë rusë dhe neo-nazistë po luftojnë në Ukrainë.

Analistët gjermanë shkruan se fakti që liderët ushtarakë dhe politikë rusë kanë mirëpritur grupet neo-naziste, minon pretendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të Qeverisë së tij se një prej motiveve kryesore për nisjen e pushtimit ishte dëshira për të “denazifikuar” Ukrainën, shkroi Spiegel.

Your browser doesn’t support HTML5

"Fundërrina dhe tradhtarë" - Putin kërcënon rusët që kundërshtojnë luftën në Ukrainë

Ky fakt, sipas raportit që citoi Spiegel, thuhet se bën që “arsyeja e supozuar për luftën, të ashtuquajturin denazifikim të Ukrainës, të jetë absurde”.

Nga Siria në Ukrainë

Edhe para pushtimit të 24 shkurtit, lufta në Ukrainë kishte tërhequr një numër të konsiderueshëm ushtarësh dhe luftëtarësh me prirje të ideologjisë së ekstremit të djathtë. Shumica e vëmendjes prej kohësh është përqendruar në milicitë e krahut të djathtë dhe paraushtarakët që kanë luftuar përkrah ose si pjesë e forcave të armatosura të Ukrainës – një fenomen që daton që nga fillimi i konfliktit në rajonin e Donbasit në vitin 2014.

Regjimenti i famshëm Azov i Ukrainës u formua nga një milici e krahut të djathtë e quajtur Batalioni Azov, që fitoi famë në ditët e para të luftës. Udhëheqësit dhe themeluesit e grupit haptazi kanë përkrahur retorikën ksenofobike dhe janë shprehur kundër emigrantëve. Logot e këtij batalioni kishin ngjashmëri të madhe me disa logo të përdorura nga njësitë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më vonë, ky batalion u përfshi në Gardën Kombëtare të Ukrainës dhe Azov zbuti retorikën ekstremiste, por ka ruajtur reputacionin e një njësie të frikshme luftarake.
Zyrtarët rusë për vite me radhë kanë përdorur Azovin dhe figura të tjera nacionaliste të shekullit 20, sikurse Stepan Bandera, për qëllime propagandistike, shpesh duke shtrembëruar apo ekzagjeruar pikëpamjet dhe veprimet e tyre në mbështetje të pohimit të rremë se Ukraina është e kontrolluar apo e dominuar nga neo-nazistët.

SHIKONI EDHE:

Si e përhapin televizionet shtetërore ruse propagandën për luftën në Ukrainë?Ushtarë rusë po refuzojnë të luftojnë në Ukrainë

Në shpalljen e pushtimit më 24 shkurt, Putin u përpoq të justifikonte atë duke thënë se qëllimet ishin “çmilitarizimi dhe denazifikimi”. Qeveritë në Kiev dhe Perëndim kanë thënë se ky argument është i pasinqertë dhe janë shprehur se edhe sikur të ishte i vërtetë, nuk do të justifikonte nisjen e një pushtimit të paprovokuar kundër një shteti me një Qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Megjithatë, viteve të fundit u është kushtuar më pak vëmendje milicive ruse të krahut të djathtë që luftojnë në emër të Rusisë, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Siri.
Përderisa disa luftëtarë besohet se i janë bashkuar kompanive private ruse të mercenarëve – Vagner është kompania ruse më e njohur e mercenarëve – një numër i panjohur i luftëtarëve janë bashkuar dhe janë trajnuar nga grupi Rusich, por edhe nga Lëvizja Perandorake Ruse dhe njësia e saj paramilitare, e njohur me emrin Legjioni Perandorak Rus.

Milchakov, një ish-parashutist, është identifikuar nga ekspertët si bashkëudhëheqës i grupit Rusich, së bashku me një rus tjetër të quajtur Yan Petrovsky. Disa ekspertë thonë se grupi është i lidhur në mënyrë eksplicite me kompaninë e mercenarëve, Vagner.

Grupi Rusich zyrtarisht është themeluar në Shën Petersburg më 2014 me emrin Grupi i Zbulimit të Sabotimit dhe Sulmit Rusich.

Si Milchakov po ashtu edhe Petrovsky kanë luftuar kundër Ukrainës si vullnetarë në Donbas më 2014 dhe 2015 dhe haptazi kanë shfaqur medaljet e fituara si pjesë e “Unionit të Vullnetarëve të Donbasit”. Në atë kohë, megjithatë, Rusia vazhdimisht ka mohuar se forcat e saj po luftonin në Donbas, duke thënë, shpesh me vendosmëri, se forcat lokale që luftonin me trupat ukrainase ishin thjesht përkrahës lokalë.

Në shtator të vitit 2014, pranë fshatit Shçastia në Luhansk, militantët e Rusich luftuan me grupin paramilitar ukrainas të quajtur Aidar. Sipas raportimeve të mediave ukrainase, dhjetëra ushtarë ukrainas u vranë në këto luftime. Më pas, pamjet e trupave të gjymtuar dhe të djegur qarkulluan online dhe Milchakov më vonë haptazi u mburr se kishte fotografuar trupat e ushtarëve të vrarë.

Milchakov po ashtu fitoi famë po të njëjtin vit kur blogerët dhe gazetarët zbuluan një seri fotografish dhe videosh nga dy vjet më parë, në të cilat ai shihej duke vrarë një qenush, duke ia prerë kokën dhe gjoja duke e ngrënë atë.

Aleksei Milchakov (i dyti nga e ana e djathtë) së bashku me luftëtarët pro-rusë në lindje të Ukrainës më 2014.

Tabliodi rus Moskovsky Komsomolets e titulloi artikullin për këtë incident kështu: “Kasapi fashist nga Shën Petersburgu ka shkuar që të luftojë për kryengritësit”.
Në fillim të vitit 2015, Milchakov dhe Petrovsky u sanksionuan nga Kanadaja, Britania dhe Bashkimi Evropian. Milchakov “në mënyrë aktive ka mbështetur veprimet dhe politikat që minojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe destabilizojnë më tej Ukrainën”, tha Britania kur njoftoi për sanksionet e saj.

Në tetor të vitit 2016, Petrovsky u arrestua në Norvegji, ku ai po jetonte dhe punonte së bashku me një burrë norvegjez, i cili është i lidhur me grupin e ekstremit të djathtë, Ushtarët e Odinit. Ai u dëbua nga Norvegjia po të njëjtin muaj.

Fotografitë dhe videot e publikuara në rrjetet sociale në periudhën 2020-2021 tregojnë se luftëtarët e Rusich ishin në Siri, ku Rusia ka kryer një operacion ushtarak për të mbështetur regjimin sirian dhe për eliminuar luftëtarët opozitarë në Siri.

Media në Shën Petersburg, Fontanka në fund të vitit 2017 po ashtu gjeti fotografi të Milchakovit duke notuar në një pishinë afër qytetit sirian, Palmira.

Raporti i inteligjencës gjermane tha se luftëtarët e grupit Rusich janë në Ukrainë që prej fillimit të prillit.

Nuk ka konfirmim nëse Milchakov ose Petrovsky kanë qenë ose janë në Ukrainë qëkur nisi pushtimi më 24 shkurt. Megjithatë, më 27 maj, një kanal në platformën sociale Telegram, që duket se është e lidhur me Rusich, publikoi një fotografi – data se kur kjo fotografi është shkrepur nuk dihet – që shfaqi Milchakovin dhe Petrovskyin në Ukrainë, duke qëndruar pranë një makine të blinduar gjysmë të shkatërruar.

“Milchakov... i është kthyer sërish aksionit”, shkruhej në postim. “Tani ai është diku në pafundësinë e Ukrainës, i angazhuar në mënyrë aktive në denazifikim dhe çmilitarizim”.

‘Skuadra rezervë’

Në ditën kur Rusia nisi pushtimin, kreu i Lëvizjes Perandorake Ruse, Denis Gariyev, postoi një mesazh në kanalin e tij në Telegram, duke thënë: “Pa dyshim, ne jemi për likuidimin e entitetit separatist Ukrainë”.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

I themeluar më 2002 në Shën Petersburg nga Sranislav Vorobyov, Lëvizja Perandorake Ruse përkrah ideologji monarkiste, pjesërisht e nxitur nga besimi se Rusia duhet të udhëhiqet nga një pasardhës i dinastisë Romanov, familja e carit të fundit rus.

Në prill të vitit 2020, Departamenti amerikan i Shtetit vendosi sanksione ndaj këtij grupi, si dhe ndaj Vorobyovit, Gariyevit dhe një personi tjetër.

Grupi “ka ofruar trajnime të stilit paramilitarë për supermacistët e bardhë dhe neo-nazistët në Evropë dhe në mënyrë aktive punon që të mbledhë këto lloje grupesh në një front të përbashkët kundër armiqve të tyre të perceptuar”, tha DASH-i në deklaratë. Lëvizja “ka dy qendra trajnuese në Shën Petersburg, që me gjasë përdoren për sulme pyjore dhe urbane, me armë taktike dhe për trajnime të tjera luftarake”.

Disa javë pas postimit të Gariyevit në Telegram, qendra e trajnimeve luftarake e kësaj organizate që gjendet në afërsi të Shën Petersburgut, e që quhet Partizan, njoftoi për rekrutimin e vullnetarëve për të luftuar në Ukrainë.

Gariyev po ashtu ka krijuar një organizatë që quhet Skuadra Rezervë, e cila, sipas raportit të inteligjencës gjermane, ka marrë urdhra shumëmilionësh nga Ministria e Brendshme, Shërbimi Federal i Sigurisë dhe Shërbimi Federal i Mbrojtjes, që është agjencia qeveritare e ngarkuar me ofrimin e truprojave për zyrtarët e lartë të Kremlinit.

Ashtu si Rusich, luftëtarët në Legjionin Perandorak Rus iu bashkuan luftimeve në lindjeve të Ukrainës më 2014-2015, dhe sipas informacionit të dhënë nga militantët, të paktën gjashtë anëtarë të këtij grupi u vranë në atë periudhë.

SHIKONI EDHE:

Humbjet e Rusisë në Ukrainë, të ngjashme me të periudhës sovjetike në AfganistanMarrja e Azovstalit nga Rusia: Sukses simbolik apo Fitore e Pirros?Pse Rusia humb aq shumë pajisje ushtarake në Ukrainë?

Sipas inteligjencës gjermane, Gariyev u plagos në luftimet në mes të prillit dhe zëvendësi i tij, Denis Nekrasov, u vra, me gjasë afër Izijumit, në rajonin e Harkivit.
Aleksandr Verkhovsky, një ekspert i grupeve ekstremiste në Rusi dhe kreu i qendrës kërkimore SOVA, tha se ka të ngjarë që tani në Ukrainë të ketë shumë më pak luftëtarë ekstremistë rusë sesa në vitet e para të luftës në Donbas.

“Nacionalistët kanë luajtur një rol kyç në fazën e parë të luftës”, tha ai për Current Time.

“Ata ishin një pjesë e rëndësishme, jo pjesa më e madhe, por ishin pjesë domethënëse. Tani nuk shohim numra të mëdhenj të vullnetarëve nga Rusia... ndoshta maksimumi janë disa dhjetëra”.

Artikull i shkruar nga Mike Eckel bazuar në raportimin e Dmitry Kozhurin të Current Time
Përgatiti: Mimoza Sadiku