Nëntori është muaji i gjashtë rresht që vendos rekord të nxehtësisë, thonë shkencëtarët

Varka të vogla në brigjet e lumit të shterur Villers-le-Lac basins, në lindje të Francës, 4 tetor 2023.

Nëntori është muaji i gjashtë radhazi i këtij viti që vendos rekord për nxehtësinë, ndërsa kjo vjeshtë ishte po ashtu më e nxehta, sipas Agjencisë evropiane të Klimës.

Kur ka mbetur vetëm edhe një muaj deri në përfundim të këtij viti, 2023-ta është në binarë për ta thyer rekordin për vitin më të nxehtë deri më tani.

Nëntori ishte gati një e treta e gradës më i nxehtë se nëntori më i nxehtë i deritanishëm, njoftoi të mërkurën Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut. Nëntori ishte 1.75 gradë më i nxehtë se kohërat paraindustriale, duke lënë mbrapa tetorin dhe shtatorin, për muajin më të nxehtë mbi mesatare, sipas shkencëtarëve.

SHIKONI EDHE: Si po e sëmurin botën ndryshimet klimatike

“Gjysma e dytë e këtij viti ka qenë vërtet tronditëse”, tha zëvendësdrejtoresha e Kopernikut, Samantha Burgess.

“Shkencëtarët nuk po kanë fjalë më për ta përshkruar këtë”, shtoi ajo.

Temperatura mesatare gjatë këtij nëntori ishte 14.22 gradë, pra 0.85 grandë më nxehtë se mesatarja në 30 vjetët e fundit. Dy ditë gjatë këtij muaji ishin 2 gradë më të nxehta se kohët paraindustriale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, sipas Burgess.

Deri tani, ky vit është 1.46 gradë më i nxehtë se kohët paraindustriale, rreth një e shtata e gradës më i nxehtë se viti më i nxehtë deri tani, që ishte 2016-ta, sipas shkencëtarëve të Kopernikut.

SHIKONI EDHE: I nxehti i tetorit pothuajse garanton se viti 2023 do të jetë më i nxehti në histori

Shkencëtarët thonë se janë dy shkaktarë të rekordit të nxehtësisë sivjet. Njëri është ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut, si djegia e thëngjillit, naftës apo gazit, ndërsa tjetri cikloni natyror El Ninjo.

Toka do të vazhdojë të ngrohet edhe më shumë përderisa bota vazhdon të hedhë gazra serë në atmosferë, tha Burgess.

Ajo tha se kjo nënkupton se “do të vazhdojnë vërshimet, zjarret, valët e nxehta dhe thatësira katastrofike”.

“Ka shumë gjasa që 2023 të mbetet një vit i freskët në të ardhmen, nëse ne nuk bëjmë diçka për të luftuar varësinë tonë ndaj lëndëve djegëse fosile”, theksoi ajo.