Nëntë të vrarë, 20 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

Një veturë duke u djegur nga zjarri pas një sulmi rus në rajonin e Zaporizhjas, Ukrainë, 6 dhjetor.

Të paktën nëntë njerëz janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse në rajonet juglindore të Ukrainës të premten, thanë zyrtarët rajonalë.

Në rajonin e Zaporizhjas u vranë të paktën shtatë njerëz, tha guvernatori i rajonit Ivan Fedorov. Ai theksoi se sulmi shkaktoi zjarr në një garazh për ndreqjen e automjeteve.

Katër të tjerë u plagosën, përfshirë dy fëmijë, shtoi ai.

Disa vendbanime u përballën me mungesë të energjisë elektrike pas sulmeve, sipas tij.

SHIKONI EDHE: Ukraina bën sërish thirrje për anëtarësim të plotë në NATO

Ndërkohë, një sulm tjetër raketor shkaktoi dëme në një ndërtesë administrative në Krivi Rih, një rajon në juglindje të vendit, duke i vrarë dy njerëz, tha guvernatori Serhii Lysak.

Ekipet e emergjente janë duke i vazhduar kërkimet në vendin e ngjarjes, pasi një person është zhdukur, theksoi ai.

Të paktën 16 të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën, tha shërbimi emergjent, duke shtuar se gjatë sulmit u dëmtuan shtëpi banimi gjithashtu.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.