Shumicës së të rriturve nën 40 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar do t’iu jepet një alternativë e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, për shkak të rrezikut - ndonëse të ulët - nga mpiksja e gjakut.
Rregullatori britanik i sigurisë së barnave tha se ka regjistruar 242 raste të mpiksjes së gjakut dhe 49 vdekje, pas administrimit të 28.5 milionë dozave të vaksinës AstraZeneca.
Rreziku për mpiksje gjaku thuhet se është pak më i lartë te grup-moshat e reja.
“Pasi normat e koronavirusit po vihen nën kontroll, ne këshillojmë që të rriturve të moshës 18-39 vjeç, pa sëmundje të tjera, t’iu ofrohet një alternativë e vaksinës AstraZeneca, nëse është e disponueshme dhe nëse nuk shkakton vonesa në vaksinim”, tha Wei Shen Lim, nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin në Mbretërinë e Bashkuar.
Vaksina e kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca është lidhur me disa raste të mpiksjes së gjakut, që shfaqen pas niveleve të ulëta të trombociteve në gjak.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar që vaksina të përcillet me paralajmërimin se shkakton mpiksje të rralla gjaku, por ka theksuar se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.
Disa vende e kanë kufizuar përdorimin e kësaj vaksine në grup-mosha të caktuara.
SHIKONI EDHE: BE-ja padit AstraZeneca-nMbretëria e Bashkuar ka si alternativë dy vaksina të tjera kundër koronavirusit: Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Në këtë vend, afro 35 milionë njerëz tashmë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.
Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në botë nga pandemia e koronavirusit.
Ajo ka regjistruar mbi 4.4 milionë raste të të infektuarve dhe mbi 127,000 viktima.