Negociatat e heshtura rreth emrit

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ai i Greqisë, Alexis Tsipras. Foto nga arkivi

Maqedonia dhe Greqia ende nuk kanë një qëndrim të qartë mbi marrëveshjen-kornizë për kontestin e emrit edhe pse dy kryeministrat duhej që deri të premten e kaluar të njoftonin opinionin nëse pranojnë ose jo përmbajtjen e kornizës, e cila gjithashtu mbetet e paqartë për opinionin.

Përveç njoftimeve jozyrtare se si opsion i mundshëm është emri i ri “Republika Maqedonia e Veriut”, detaje tjera nuk janë dhënë. Nga Qeveria greke kanë thënë për mediat në Athinë se “topi” është tek pala maqedonase e cila duhet të deklarohet për marrëveshjen, por pa dhënë gjithashtu detaje mbi përmbajtjen e saj.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në disa paraqitjen para mediave ka thënë se mbetet optimist për një marrëveshje të mundshme, ndërkohë që lideri opozitar, Hristijan Mickovski edhe në tubimin e së shtunës në Shkup të partisë së tij VMRO-DPMNE, përsëriti qëndrimin se nuk pranon asnjë marrëveshje që për bazë ka ndryshimin e Kushtetutës, respektivisht heqje dorë nga gjuha dhe identiteti.

Në këtë kuadër ishte edhe qëndrimi i presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov i cili kundërshton zgjidhjen “erga omnes”, apo përdorimin e emrit të ri si brenda ashtu edhe në relacionet ndërkombëtare.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se palët është shumë me rëndësi që të kenë qëndrime të harmonizuara, pasi zgjidhjet pa konsensus mund të ndërlikojnë gjithë procesin negociues.

“Zgjidhja nuk është e thjeshtë, ndoshta më mirë do të ishte të mos ketë fare zgjidhje, se sa të arrihet diçka, por që më vonë do t’i kushtonte shumë dy palëve. Prandaj e them se duhet shumë punë para se arrijmë qëndrimin final. Ndoshta pala greke qëndron më mirë se kjo e jona e cila ende nuk ka një qëndrim të qartë mbi pozicionin që duhet të kemi”, thotë ish-diplomati Gjorgji Filipov duke theksuar nevojën që dy palët të qartësojnë pozicionet në shtetet e tyre, e më pas të dalin me qëndrime finale që do të ishin objekt i bisedimeve me ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara, Mathew Nimitz.

“Dy palët duhet më shumë të punojnë në terrenet e tyre, pra në shtetet e tyre duhet të angazhohen për harmonizimin e qëndrimeve të tyre, para se të dalin me qëndrime se cila do të mund të ishte zgjidhje e kontestit. Dy ministrat e Jashtëm po bëjnë gjithçka të mundur për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme, por kjo assesi të arrihet prandaj siç shihet ka nevojë për më shumë punë”, thotë Filipov.

Dy shtetet ende pa arritur marrëveshjen-kornizë gjithashtu kanë bërë të ditur se zgjidhja finale duhet të kalojë në referendum, por kjo sipas ish-diplomatit, Nano Ruzhin sikur shihet me pesimizëm nga faktorët ndërkombëtarë.

“Unë kam rezerva të caktuara sa i përket referendumit, pasi kjo nuk shihet me shumë optimizëm as në Bruksel e as në Uashington, andaj edhe sikur kërkojnë shmangien e tij, si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi, pasi nëse mbahet në njërin vendin duhet të mbahet edhe në vendin tjetër. Epilogu i tyre mund të mos jetë në favor të dy kryeministrave,(Zoran) Zaev dhe (Alexis) Tsipras dhe mund të rrënojë gjithë procesin e negociatave dhe ta kthejë atë në pikën zero”, thotë Ruzhin.

Sidoqoftë, Maqedonia shpreson në zgjidhje para samitit të NATO-s në korrik, me qëllim që të marrë ftesën për anëtarësim, por edhe para samitit të Bashkimit Evropian në qershor, që të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE.