Neglizhohet dhuna ndaj grave

Ilustrim

Mungesa e mbrojtjes institucionale për viktimat e dhunës në familje ka bërë që gratë t’u nënshtrohen martesave abuzive, për shkak se në shumicën e rasteve gratë pas shkurorëzimeve, nuk kanë të drejtë në pronë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Për këtë arsye po kërkohet edhe ndryshimi i Ligjit për familjen, konkretisht saktësimi i dispozitave ligjore në lidhjen me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore.

Luljeta Aliu, drejtoreshë ekzekutive nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT), thotë se dhuna fizike ndaj gruas vazhdon të mbetet fenomen shqetësues që prodhon pasoja të dëmshme socio-ekonomike.

Kurse, rastet më të shpeshta të dhunës paraqiten në familjet ku njëri partner varet në mënyrë ekonomike nga partneri tjetër.

Thelbi kryesor i dhunës fizike, sipas Aliut, mbetet dhuna ekonomike, pasi sipas saj, pasurinë e krijuar së bashku në martesë nuk mund ta gëzojnë të dy ish-bashkëshortët pas ndarjes.

“Dhunë ekonomike është edhe mashtrimi kur bëhet me rastin e divorceve, kur njëri partner e fsheh pasurinë e krijuar ose e bartë në emër të dikujt tjetër, me qëllim që të dëmtojë ekonomikisht partnerin dhe të përfitojë personalisht nga ky mashtrim. Kjo është dhunë ekonomike me të cilën institucionet nuk merren fare”, ka thotë Aliu.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë gratë. Kurse, numri i shkurorëzimeve viteve të fundit ka arritur mbi 1000 raste.

Ndërkaq, kur viktima iu drejtohet institucioneve kompetente, konkretisht gjyqësorit dhe Policisë, sipas Aliut nuk veprohet në bazë të ligjit, por në bazë të traditës dhe paragjykimeve.

“Institucioni vepron i orientuar sipas mentalitetit që ka, bën dallim gjinor, racor ose religjioz. Do të thotë një gjyqtar ose polic, në momentin kur përballet me një rast, në vend që të veprojë sipas ligjit, ai vepron sipas traditave ose paragjykimeve të tij. Dhe kjo më pas bëhet rutinë e gjithë institucioneve”, thotë Aliu.

Edhe zyrtarë të institucioneve pranojnë se ligjet e miratuara në Kosovë për barazi gjinore nuk zbatohen në tërësi.

Mexhide Mjaku- Topalli, anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore në Kuvendin e Kosovës tha se dhuna si fenomen po diskriminon gjysmën e popullsisë së Kosovës.

“Ne kemi monitoruar zbatimin e Ligjit në familje dhe kemi parë që ka ngecje në zbatim të disa neneve në kuadër të këtij ligji, por edhe ligjeve tjera”, tha Topalli.

Edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka mbështetur iniciativën për ndryshimin e Ligjit në familje.

Anita Schluchter Roth, zëvendësambasadore, tha se përveç miratimit dhe ndryshimeve të ligjeve është me rëndësi që ato të zbatohen.

Në anën tjetër, më shumë se 30 për qind e burrave në Kosovë “pajtohen pjesërisht” që gratë meritojnë të rrihen, thuhet në një anketë të realizuar nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë.

Në anketën e titulluar: “Këndvështrim i burrave mbi barazinë gjinore në Kosovë”, OSBE ndër të tjera ka pyetur nëse “burrat duhet të kenë fjalën e fundit për vendime në shtëpi”. Mbi 40 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se pajtohen pjesërisht, rreth 29 për qind pajtohen plotësisht, kurse vetëm rreth 27 për qind janë përgjigjur se nuk pajtohen.