Një ekspozitë për gjenocidin në Srebrenicë është hapur në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork të martën, njoftoi Qendra Përkujtimore e Srebrenicës.
Ekspozita përfshin artefakte, fotografi dhe video-dëshmi të të mbijetuarve.
"U investuan përpjekje dhe përkushtim i madh për ta bërë këtë ekspozitë realitet dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë për ekipin tonë që punoi pa u lodhur në këtë projekt”, shkroi Qendra Memoriale e Srebrenicës në rrjetin social X.
Në maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, i cili u krye në vitin 1995, janë gati për varrim në funeralin kolektiv më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit.
Viktima më e re që është varrosur është 17-vjeçari Beriz Mujiq, i cili u vra në korrik të vitit 1995 në Bratunac. Eshtrat e tij u zhvarrosën në maj të vitit 2023 në zonën e komunës së Srebrenicës.
Viktima më e vjetër që do të varroset në Potoçari më 11 korrik është 68-vjeçari Hamed Saliq. Eshtrat e tij u zhvarrosën në Zhepa në maj të vitit 2014.
Në Qendrën Përkujtimore në Tuzlla gjenden eshtrat e 11 viktimave të gjenocidit, të identifikuar deri më tani, por familjet ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrimin e tyre, kryesisht për shkak të paplotësimit të trupave të këtyre viktimave.
Your browser doesn’t support HTML5
Deri më tani në Qendrën Memoriale të Potoçarit janë varrosur 6.752 viktima të gjenocidit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.