Qindra njerëz kanë protestuar të martën pasdite në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjes së grave, rreth një javë pas vrasjes së një gruaje 30-vjeçare në kryeqytet - një rast që e tronditi vendin.
Liridona Murseli u vra të mërkurën, më 29 nëntor, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.
Vrasja e saj tronditi vendin, sepse bashkëshorti i saj, Naim Murseli, u arrestua si i dyshuar për organizimin e vrasjes së saj.
Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili e organizoi marshin protestues, bëri thirrje për ndaljen e dhunës ndaj grave.
"Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte, që ne si vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjitha ne bashkohemi në luftën që ne si gra po e bëjmë çdo ditë. Në shtëpi, në punë, në rrugë, në shkollë dhe në shtet", tha ajo.
Your browser doesn’t support HTML5
Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” dhe “Vrasësit e grave në burg”, dhe duke brohoritur “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për Liridonën” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestuesit marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në qendër të qytetit.
Liridona është gruaja e katërt që u vra sivjet në Kosovë.
Të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona të tjerë me inicialet G.P, dhe K.K, sipas Policisë së Kosovës. Gjykata u ka caktuar atyre një muaj paraburgim.
Fillimisht, u raportua se Liridona u vra gjatë një grabitjeje, por prokuroria dyshon se bashkëshorti i saj, Naimi, e organizoi vrasjen, siguroi armën për dorasin dhe premtoi 30 mijë euro shpërblim.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në periudhën janar-tetor të këtij viti, në Kosovë u raportuan tri gra të vrara brenda familjes.
Your browser doesn’t support HTML5
Po sipas policisë, në dhjetë muajt e parë të vitit u evidentuan 2.186 raste të dhunës në familje - prej të cilave viktima ishin mbi 1.700 gra.
Gjatë gjithë vitit 2022, ndërkaq, ishin 2.765 raste të dhunës në familje, me mbi 2.200 viktima gra - katër prej tyre të vrara.
Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55.