Maqedonia e Veriut të dielën ka pranuar 500 mijë doza të vaksinave nga prodhuesi kinez Sinovac.
Kjo është dërgesa më e madhe e vaksinave në këtë vend, që nga fillimi i fushatës së imunizimit të popullatës. Vaksinat do të shpërndahen në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.
Deri të shtunën në këtë vend janë dhënë mbi 510 mijë vaksina ndërsa rreth 214 mijë persona kanë marrë dy dozat e nevojshme. Në pritje për t’u vaksinuar janë mbi 462 mijë qytetarë, që janë paraqitur në sistemin elektronik kombëtar të imunizimit.
Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë Ivanka Stojanoski, e cila së bashku me ambasadorin kinez, Xhang Suo, kanë dalë për të pritur vaksinat në Aeroportin e Shkupit, tha se me këtë dërgesë do të vaksinohet një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, gjë që do të përshpejtojë procesin e arritjes së imunitetit kolektiv.
“Me procesin e deritanishëm të imunizimit dhe vaksinimit të një numri të madh të qytetarëve, ne po tregojmë rezultate të shkëlqyera në uljen e numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe qytetarëve të shtruar në spital, siç dëshmohet nga fakti se të gjitha qendrat COVID në të gjithë vendin nuk kanë asnjë pacient”, ka deklaruar Stojanoski.
SHIKONI EDHE: BE heq zyrtarisht kufizimet për qytetarët e tri vendeve të BallkanitTë shtunën në Shkup arritën edhe 100 mijë vaksina të kompanisë Pfizer/BioNTech, në kuadër të mekanizmit COVAX që koordinohet nga Aleanca Globale e Vaksinave (GAVI), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI).
COVAX synon të sigurojë një shpërndarje të barabartë të vaksinave në vendet më të varfra të botës.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se të dielën nuk është regjistruar asnjë viktimë me koronavirus.
Të infektuar brenda 24 orëve janë katër persona ndërsa 11 të tjerë janë shëruar.
Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është ulur në 228.
Numri i qyteteve pa asnjë të infektuar ka arritur në 15 ndërsa shumë qytete tjera kanë më pak se dhjetë të infektuar.