IKSHPK: Mund të përkeqësohet situata epidemiologjike

Udhëzimet për luftim të pandemisë para një dyqani në Prishtinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka thënë të hënën, 10 janar, se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit.

Ky Institut ka bërë thirrje që të mos ketë grumbullime.

“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, është thënë në një postim të këtij Instituti në rrjetin social, Facebook.

IKSHPK po ashtu ka thënë se vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi, dhe u ka rikujtuar qytetarëve se mund të imunizohen çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor nëpër komuna.

SHIKONI EDHE: A ka Kosova mjaftueshëm vaksina për vitin 2022?

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43.9 për qind me dozën e dytë.

Aktualisht në Kosovë jepet edhe doza përforcuese e vaksinës për të gjithë ata që kanë tre muaj prej marrjes së dozës së dytë.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 304 raste të reja me koronavirus më 9 janar.

Aktualisht 1.552 persona janë aktivë në këtë virus.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka thënë të hënën se nëpër klinika janë duke u trajtuar 16 pacientë të infektuar me koronavirus dhe 24 raste tjera post-COVID.

Në oksigjenoterapi janë 11 pacientë, ndërsa në kujdes intensiv nuk ka të tillë.