Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, "Contour Global", konfirmojnë edhe një herë se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të fillojë realizimi i këtij projekti. Por, aktualisht, thuhet se ende janë në kërkim të mjeteve financiare për realizimin e projektit, i cili besohet se do të zgjidhte problemin e Kosovës me furnizim me rrymë.
Dyshimet për mundësinë e realizimit të këtij projekti u paraqitën në muajin tetor të këtij viti, pas deklaratave të përfaqësuesve të Bankës Botërore se nuk do ta mbështesin ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.
Vite më parë kjo bankë ka premtuar ta lëshojë një lloj garancie të riskut që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët.
SHIKONI EDHE: Tërheqja nga “Kosova e Re”, sinjal edhe për investitorët e huajPavarësisht tërheqjes së Bankës Botërore, zyrtarë të kompanisë “Contour Global” në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thanë se “së bashku me Qeverinë e Kosovës, mbesim thellësisht të përkushtuar të vazhdojmë me këtë projekt”.
“Ne mbesim të sigurt se do të mund të sigurojmë paratë e nevojshme në afatin e duhur kohor që do ta bëjë të mundur fillimin e ndërtimit të Termocentralit 'Kosova e Re', në fillim të vitit 2019”, theksohet në përgjigjen e kompanisë "Contour Global".
“ 'Contour Global' vazhdon të bëjë progres në gjetjen e financave për ndërtimin e 'Kosovës së Re', që nuk varen nga mbështetja e Bankës Botërore. Kjo përfshinë një numër të madh të institucioneve financiare, siç janë: Korporata e Jashtme Private e Investimeve e SHBA-së, e njohur më shkurtesën OPIC, si dhe agjenci tjera financiare kredituese ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.
OPIC-u është një agjenci financiare e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që i ndihmon bizneset amerikane të investojnë në vendet që janë në zhvillim e sipër.
*Video nga arkivi: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, ka thënë se projekti është duke vazhduar sipas planit. Ai ka bërë të ditur se OPIC-u amerikan tashmë ka konfirmuar se në muajin mars do të diskutojë në takimin e bordit, për të aprovuar kredi deri në 500 milionë dollarë.
“Pjesa tjetër është nga ekuinteti i kompanisë fituese “Contour Global” me rreth 400 milionë euro dhe pjesa e mbetur prej 300 deri në 400 milionë euro është me agjenci eksportuese shtetërore, të cilat vijnë nga shteti, varësisht nga është fituesi i ndërtimit të termocentralit”.
“Pra, nëse është nga Japonia, është Banka Ndërkombëtare Japoneze, që është në pronësi japoneze, ku kompania ka shprehur interesimin tashmë që nëse ne përdorim teknologjinë e fundit të termocentralit, pra teknologjinë ultra super kritike, atëherë ata do të jenë të gatshme të konsiderojnë pjesën e mbetur të kredisë. E njëjta gjë vlen për të gjitha shtetet, nga vijnë kompanitë që kanë ofertuar”, ka thënë Lluka për Radion Evropa e Lirë .
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në muajin qershor ka njoftuar se janë katër kompani që janë kualifikuar për ndërtimin e Termocentralit ” Kosova e Re”. Ofertuesit e para-kualifikuar sipas Qeverisë së Kosovës, janë: CMEC-ja, një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas, një konsorcium i kompanive të General Electric dhe Hyundai.
Sipas ministrit Lluka, deri në fillim të muajit janar të vitit të ardhshëm do të përzgjidhet kompania fituese për realizimin e këtij projekti. Me këtë e konfirmohet se nga cili shtet do të marrë kredi kompania “Contour Global”.
Kompania fituese ka premtuar se ndërtimi i këtij termocentrali do ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike dhe pavarësisht se burim kryesor për prodhim të energjisë elektrike ka thëngjillin, sipas kompanisë fituese, projekti do të rezultojë me përmirësimin e cilësisë së ajrit duke ulur në masë të madhe emetimet e ndotësve kryesorë.
SHIKONI EDHE: Alarm nga ajri i ndoturProjekti “ Kosova e Re” parashikohet të jetë investimi më i madh të huaj në Kosovë me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh.
Përgatitjet për ndërtimin e këtij termocentrali, kanë filluar para më shumë se një dekadë, dhe ndër vite ka pësuar disa ndryshime, fillimisht është paraparë që termocentrali të ketë 1000megavat, por më pas është vendosur që kapacitetet të jenë 500 megavat energji elektrike
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi. Thëngjilli që digjet në Termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B” shërben si burim kryesor për prodhimin e energjisë elektrike për tërë vendin.