Drejtësia selektive vazhdon të mbetet brengë për qytetarët në Kosovë, sidomos në fushën civile. Në këtë fushë, gjykatat janë të stërngarkuara me lëndë, derisa zgjidhja e tyre duhet të bëhet në pajtim me ligjet dhe politikat e Këshillit Gjyqësor. Por, këto ligje dhe politika nuk vlejnë për ata që konsiderohen të fortë. Zyrtarët publikë në pozita me ndikim, arrijnë që lëndët t’i zgjidhin në afat të arsyeshëm kohor, ndërsa ky standard nuk vlen për qytetarët e thjesht.
Ismajl Zogaj, në vitin 2005 u largua nga pozita e tij si zyrtar për pylltari në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Malishevës. Në arsyetimin e kësaj komune, thuhet se Zogaj ishte larguar nga puna për shkak se kishte munguar, duke mos u nënshkruar në listën e evidencës së ardhjes në punë prej datës 19 deri më 23 shtator 2005. Prej largimit nga puna, në vitin 2006 Zogaj ka nisur procedurat administrative dhe gjyqësore për t’u rikthyer në punë.
Rrugëtimi në kërkim të drejtësisë është i gjatë pasi që gjyqësori disa herë e ka kthyer çështjen në rivendosje, sipas tij, duke zvarritur procedurën gjyqësore dhe duke ia pamundësuar realizimin e të drejtës së tij. Që nga viti 2006, kur Zogaj ka ngritur padi në gjykatë, deri më tash ka dhjetë vendime gjyqësore dhe përgjigje për rastin e tij.
“Ky është një lëshim shumë i madh i drejtësisë dhe kjo nuk ka një emër tjetër përveç drejtësi selektive, njerëzit që kanë pushtet dhe janë të veshur me petkun e pushtetit, ata janë në gjendje të zgjidhin problemet edhe në gjykatë”, thotë Zogaj.
Your browser doesn’t support HTML5
Zogaj në kohën e largimit nga puna ka qenë ish-anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërkaq në vitin 2005, kur është larguar nga puna, Komuna e Malishevës është udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Zogaj pretendon se largimi nga puna ishte bërë për shkak të bindjeve politike. Madje, si kusht për t’u rikthyer në vendin e tij të punës, ai thotë se i është kërkuar të bëhet anëtar i PDK-së.
Por, në Komunën e Malishevës pohojnë se Zogaj është larguar nga puna për mosrespektim të orarit të punës. Ndërsa, moskthimi i tij në punë, pavarësisht vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, sipas zyrtarëve të Komunës së Malishevës, Zogajt në ndërkohë i ka skaduar kontrata e punës dhe për këtë arsye ai nuk është rikthyer në punë, thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Komunës së Malishevës.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, në një përgjigje me shkrim për emisionin ‘Iustitia’ ka thënë se aktualisht lënda e Ismaj Zogajt, është në procedurë përmbarimore.
“Në gjykatën tonë ka vazhduar procedura përmbarimore. Gjykata ka vendosur dy herë pasi që vendimi i parë ishte anuluar nga Gjykata e Apelit dhe çështja është kthyer në rivendosje. Ndërsa, me vendimin e tretë të kësaj gjykate, ka aprovuar pjesërisht propozimin e kreditorit dhe sa i përket pagave dhe shpenzimeve të procedurës, ndërsa ka refuzuar propozimin për kthim në vendin e punës”, thuhet në përgjigjen e Komanit.
SHIKONI EDHE: Mungesa e kontrollit gjyqësor penalizon qytetarëtNdryshe nga rasti i Zogajt, rasti i një zyrtari të lartë publik, Nazim Sahiti, ish-drejtor i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, është zgjidhur shpejt nga gjykata. Nazim Sahiti ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Ndaj vendimit të këtij të fundit, Nazim Sahiti kishte ushtruar padi më 7 dhjetor 2018, ku kishte kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Padia e tij ishte aprovuar më 11 prill 2019, respektivisht katër muaj pas ushtrimit të padisë.
Sidoqoftë, në një përgjigje me shkrim, për emisionin “Iustitia”, Nazim Sahiti vlerëson se për të si palë, ka qenë kohë relativisht e gjatë e trajtimit të kësaj çështjeje gjyqësore. Ai thotë se duke marrë parasysh datën e largimit nga puna në tetor 2018 dhe datën e rikthimit në muajin janar 2021, është periudhë mbi dyvjeçare.
Ndaj këtij vendimi, Policia e Kosovës ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë e kishte refuzuar si të pabazë ankesën e ushtruar nga policia, duke lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin ishte aprovuar padia e ish-shefit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti për t’u kthyer në pozitën e tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Duke pasur parasysh numrin e madh të lëndëve të natyrës së marrëdhënieve të punës dhe kohën e zgjidhjes së rastit të Nazim Sahitit, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se vendimmarrja në këtë rast ka qenë selektive sepse lënda e Sahitit është zgjidhur shumë shpejt në krahasim me lëndët e tjera të qytetarëve.
“Në rastin e zotit Sahiti, ka ndodhur që ai rast, po e përsëris në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të shqyrtohet, të merret vendimi, nëse më kujtohet brenda muajit apo dy muajsh. Në rastin konkret për çudi rasti është shqyrtuar shumë shpejt. Arsyen nuk e di, mund të paragjykoj apo supozoj, por nuk ka qenë praktikë e tillë që lëndët nga marrëdhëniet e punës të shqyrtohen aq shpejt”, thotë Qalaj.
Arben Hoti, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se nuk është në dijeni për trajtim selektiv të rasteve nga ana e gjykatësve. Por, nëse kjo ndodh dhe ka ankesa që vërtetohen, atëherë, sipas tij, ndaj gjyqtarëve duhet të merren masa.
“Nga marrëdhënia e punës kemi edhe raste tjera që i kemi zgjidhur për këtë periudhë. Për rastin konkret nuk kam njohuri, ju tani po më tregoni se qenka zgjidhur, por jam i sigurt që ka edhe raste të tjera. Nga marrëdhënia e punës nëse nuk zgjidhet në kohë optimale, atëherë e humb edhe efektin”, thotë Hoti.
Kryetari i Gjykatës se Apelit, Hasan Shala thotë se tashmë në këtë gjykatë nuk ka lëndë të pazgjidhura me dekada.
“Jo, jo në Gjykatë të Apelit nuk ka, me dekada jo, unë flas për këtë që jam kompetent, për në Gjykatë të Apelit, unë e di ka pritur bukur mjaft lënda e personit që përmendët (Nazim Sahiti). Mund të jap edhe datën sesa ka pritur, por kjo lëndë është vendosur në mënyrë të rregullt. Por, kontestet e punës janë konteste të cilat janë të privilegjuara për kryerjeje, sikur që kontestet status kohore familjare apo masat e përkohshme, këto hyjnë në ato lëndë që kanë prioritet”, thotë ai.
Your browser doesn’t support HTML5
Derisa gjykatat ia hedhin fajin të njëra-tjetrës për zbatim selektiv të drejtësisë, Ismajl Zogaj thotë se ka humbur besimin tek institucionet e drejtësisë.
“Për mendimin tim, sistemi i drejtësisë është i kalbur në të gjitha hallkat, të gjitha hallkat duke filluar nga gjyqësori, prokuroria, avokatia dhe të gjitha. Elementi i parë në këtë vend nuk ka siguri juridike, unë si qytetar nuk ndihem i sigurt në këtë vend dhe nuk ndihem i trajtuar njëjtë sikurse një person tjetër”, shprehet Zogaj.
Të vetmen shpresë për zgjidhjen e rastit tij, Zogaj e ka te Gjykata Kushtetuese. Ai thotë se nëse edhe kjo gjykatë nuk vendos në favor të tij, ai do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Nuk kam asnjë njohuri për fatin e saj. Ka dy vjet, në gusht bëhen dy vjet që lëndën e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pasi kemi shterur të gjitha procedurat e mëparshme, do të thotë ka mbetur e vetmja rrugë që lëndën ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresojmë se kjo gjykatë do të nxjerrë një vendim pozitiv në favorin tim”, thekson ai.
Kjo lëndë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit, thuhet në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese dhënë për emisionin ”Iustitia”.