Gjyqi i parë në Hong Kong, nën Ligjin e ri për siguri kombëtare, ka nisur në një proces kontrovers, pa juri.
Tong Ying-kit, 24-vjeçar, është deklaruar i pafajshëm për terrorizëm dhe nxitje të ndasive, si dhe për akuzën e lidhur me vozitje të rrezikshme.
Tong është arrestuar më 1 korrik të vitit të kaluar, një ditë pasi ka nisur së zbaturi Ligji për siguri kombëtare, i cili është hartuar si përgjigje ndaj protestave masive pro-demokracisë më 2019, të cilat kanë sfiduar udhëheqësinë në Pekin.
Ai është akuzuar për vozitje drejt një grupi policësh gjatë një marshi më 2019 dhe për mbajtje të mbishkrimit për “çlirim” të Hong Kongut.
Sipas akuzës, ai ka plagosur tre zyrtarë policorë.
Ai është duke u përballur me proces gjyqësor pa juri, çka përbën devijim nga traditat e ish-kolonisë britanike.
SHIKONI EDHE: Pronari i mediave pro-demokracisë në Hong Kong dënohet me burgimSipas Ligjit të ri për siguri kombëtare, një panel prej tre gjyqtarëve mund ta zëvendësojë jurinë.
Ligji, që është kritikuar ndërkombëtarisht, i kthen në vepra penale: thirrjet për shkëputje të territorit, terrorizmin, bashkëpunimin me forcat e huaja dhe përfshin edhe ndëshkimin për burgim të përjetshëm.
Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong, kanë thënë se legjislacioni ka qenë i nevojshëm për të sjellë stabilitet, por kritikët besojnë se ai synon të heshtë disidentët.
Më shumë se 100 persona janë arrestuar nën këtë ligj.
Hong Kongu është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”, çka nënkupton se ky qytet ka sistemin e vet ligjor dhe të drejtat, që përfshijnë atë për liri të shprehjes dhe liri të shtypit.
Shumë persona në Hong Kong, ashtu sikurse edhe grupe për të drejta të njeriut në demokracitë perëndimore, kanë akuzuar Pekinin për shkatërrim të lirive dhe autonomisë së këtij qyteti në vitet e fundit.