Në Gjeorgji vazhdojnë protestat, BE-ja paralajmëron ndëshkime

Protestat në Tbilisi. Dhjetor, 2024.

Protestuesit proevropianë u mblodhën në rrugët e Tbilisit për natën e 13-të me radhë, për të protestuar kundër Qeverisë së udhëhequr nga partia Ëndrra Gjeorgjiane.

Rreth 4.000 protestues, duke valëvitur flamujt e BE-së dhe të Gjeorgjisë, u mblodhën jashtë ndërtesës së Parlamentit, të zemëruar me vendimin e fundit të Qeverisë për t’i lënë mënjanë bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian së paku deri në vitin 2028.

“Çdo ditë pas punës, ne vijmë këtu”, i tha AFP-së Sofia Japaridze, 40 vjeçe.

“E gjithë Gjeorgjia, çdo qytet, çdo fshat, të gjithë duan [të bashkohen] me BE-në. Ne nuk duam të kthehemi në Bashkimin Sovjetik”, u shpreh ajo.

SHIKONI EDHE: Si u shndërruan protestat e Tbilisit në trazira masive

Ministrat e Jashtëm të BE-së, të cilët do të mblidhen në një samit më 16 dhjetor, paralajmëruan se do të diskutojnë për ndëshkimin e liderëve gjeorgjianë, për shkak të, siç thanë, taktikave të represionit kundër protestuesve.

“Mjetet e fundit represive, të përdorura nga autoritetet gjeorgjiane, kanë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe. BE-ja do të shqyrtojë masa shtesë”, thuhet në një deklaratë.

“Mbi 400 individë janë arrestuar dhe më shumë se 300 thuhet se kanë pësuar dhunë dhe keqtrajtim. Shumë prej tyre kanë pasur nevojë për kujdes urgjent mjekësor”, sipas BE-së.

Në deklaratën e saj thuhet, po ashtu, se ka “shqetësime të besueshme të torturës dhe trajtimit çnjerëzor” dhe se raportet për shkelje të të drejtave të njeriut duhet të hetohen.

“BE-ja shpreh keqardhje për këto veprime shtypëse kundër protestuesve, përfaqësuesve të mediave dhe liderëve të opozitës dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë individëve të arrestuar”, thuhet në deklaratë.

SHIKONI EDHE: Trazira në Gjeorgji, policia akuzohet për brutalitet kundër protestuesve

Gjeorgjia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2023, por marrëdhëniet e saj me Brukselin u përkeqësuan muajt e fundit, fillimisht për shkak të miratimit të një ligji të diskutueshëm për “agjentët e huaj”.

Sipas kritikëve, ky ligj kërcënon t’i diskreditojë publikisht mijëra media dhe grupe të shoqërisë civile.

Tensionet u rritën edhe më shumë pasi partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, shpalli fitoren në zgjedhjet e 26 tetorit.

Për këto zgjedhje, opozita properëndimore dhe presidentja gjeorgjiane, Salome Zurabishvili, thanë se ishin manipuluar me ndihmën e Moskës.

Protestat, pastaj, u intensifikuan kur Qeveria e Tbilisi tha se do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në BE së paku deri në vitin 2028.