Në Beograd hapet një panair verërash në kuadër të Ballkanit të Hapur

Takimet e kaluara në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.

Të enjten në Beograd është hapur panairi i parë ndërkombëtar i verërave, në kuadër të nismës rajonale, "Ballkani i Hapur”.

Ky panair është hapur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

Presidenti Vuçiq ka thënë se në panair janë të pranishëm 230 ekspozues të verërave nga vendet e Ballkanit të Hapur dhe 100 nga vende tjera.

Sipas tij, ndonëse nisma rajonale ka “shumë kundërshtarë”, ky panair flet për rëndësinë e tij.

“Detyra jonë është të thyejmë barrierat historike dhe të heqim barrën e rëndë nga shpina e pasardhësve tanë”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Sipas tij, në panair do të organizohen shumë takime të ekspozuesve të verërave, zinxhirëve tregtarë dhe kompanive hotelierike.

Presidenti serb ka thënë se në takimin e kësaj here në Beograd, pritet t’iu bashkohen edhe dy ministra të Jashtëm, turk dhe hungarez, Mevlud Çavuşoğlu dhe Peter Sijarto.

SHIKONI EDHE: Hungaria dhe Turqia do të marrin pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se në panair kanë marrë pjesë shumë prodhues verërash nga Shqipëria.

“Synimi ynë është ta organizojmë këtë panair në baza vjetore dhe ta zhvendosim nga një kryeqytet në tjetrin, por të inkurajojmë shumë të tjerë që të jenë pjesë e panairit tonë”, ka thënë ai.

Sipas Ramës, vëllimi i shkëmbimit tregtar të produkteve bujqësore mes vendeve të Ballkanit të Hapur është rritur nga 60 milionë në 100 milionë brenda një viti.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se ky panair shpërfaq atë që bën në praktikë Ballkani i Hapur.

"Shumë njerëz na pyesin nëse është një iniciativë politike dhe ne vazhdimisht e përsërisim se është një iniciativë ekonomike dhe këtë e konfirmuam sot," ka thënë Kovaçevski.

SHIKONI EDHE: Ekonomia sfidohet nga barrierat politike mes vendeve të rajonit

Sipas tij, ekonomia e tri vendeve është e lidhur me këtë ngjarje.

Panairi i verërave do të zgjasë katër ditë.

Në ceremoninë e hapjes ka marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur këtë nismë, ndonëse kanë përsëritur se për të qenë e suksesshme, në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet.