A keni menduar ndonjëherë se sa orë në javë ia kushtoni vetes?

Ndryshimtaret

Dinamizmi i shtuar i jetesës ka bërë që njerëzit t’i kushtojnë pak kohë vetes, me aktivitete që ndikojnë pozitivisht në shëndetin mendor dhe në të qenët më efektiv në përpallje me sfidat e ndryshme emocionale.

Mentor Dida, 33-vjeçar nga Prishtina, pasi ka studiuar për Inxhinieri dhe ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kthyer në Kosovë, ku ndër të tjera ka formuar komunitetin “Ndryshimtarët”.

Qëllimi i këtij komuniteti, i cili tashmë ka rreth 120 anëtarë, është që t’u ndihmojë njerëzve për gjetjen e metodave për menaxhimin sa më të mirë të kohës dhe mbi të gjitha, theksimin e rëndësisë që ka mirëqenia personale e gjithsecilit.

“Një ndryshimtar, ose një ndryshimtare është një person që e ka kuptuar që për t’i ndryshuar rrethanat, së pari duhet ndryshuar veten. Ndryshimi vjen nga vetja dhe kur bëhesh version më i mirë i vetes, atëherë do të jesh edhe kontribuues më i mirë i ndryshimeve jashtë teje”, thotë Dida për Radion Evropa e Lirë.

Your browser doesn’t support HTML5

Misioni i “Ndryshimtarëve”: Sa kohë i kushtoni vetes?

Ai tregon se pas 13 vjetësh kur është kthyer në Kosovë, është interesuar për të parë nga afër se çfarë po bëhet në të mirën e vendit dhe se sa e përkrahin njerëzit njëri-tjetrin në atë drejtim.

“Kishte shumë pak alternativa në Kosovë, nuk kishte një hapësirë ku mund t’i gjeja njerëzit që kanë ëndrra, që janë ndryshimtarë. Dhe, nga kjo lindi ideja që nëse nuk ka, pse të mos krijohet diçka e tillë. Diçka që më jep vlerë mua, por edhe komunitetit”, thotë ai.

Këta anëtarë të komunitetit të Ndryshimtarëve takohen çdo të enjte për punëtori të ndryshme, varësisht prej sfidave që paraprakisht i kanë vendosur bashkërisht.

“Çdo muaj e kemi nga një sfidë, për shembull në nëntor e kishim sfidën e mëngjesit (përfshirë zgjimi herët), në dhjetor e kishim sfidën e meditimit, në janar sfidën e manifestimit, në shkurt sfidën e energjisë, në mars të mirëqenies e kështu me radhë”, thotë Dida.

Sipas tij, arsyeja pse Ndryshimtarët sfidojnë veten, është sepse “sfidat të nxjerrin jashtë rehatisë dhe atëherë ndodh edhe zhvillimi”.

Për të qenë efektiv në shoqëri, duhet të punosh me veten fillimisht, thotë Dida.

“Kur punon me veten, je edhe më efektiv në punë”.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse duhet të flasim për shëndetin mendor?

Mentor Dida ka shkuar në Kaliforni të SHBA-së në moshën 18-vjeçare, për të vazhduar vitin e fundit të shkollës së mesme përmes një programi shkëmbimor. Por, përvoja nuk kishte të bënte me atë se çfarë ai kishte pritur nga jeta në SHBA. Ai hasi në vështirësi duke nisur nga jetesa në një familje abuzuese me alkoolin dhe në një vend me shkallë të lartë të krimit.

SHIKONI EDHE: Në SHBA rekomandohen kontrolle rutinore për ankthin

Në atë pikë të jetës, ai thotë se ka filluar të punojë më shumë me veten dhe të kujdeset për mirëqenien e tij.

“Pas një kohe e kuptova që nuk dua të bëhem inxhinier si babai, por dua t’i ndihmoj njerëzit për ta gjetur fuqinë brenda tyre për t’u përballur me sfidat”, thotë ai.

Të gjitha këto përvoja më kanë vendosur në pikën ku jam sot”.

Ai thotë se nga puna me komunitetin e ka kuptuar që njerëzit vuajnë dhe “është e rëndësishme për ta kuptuar se nuk jeni vetëm në çfarëdo sfide”.

“Jeta është shumë e bukur dhe vështirësitë janë vetëm pleh për të mbjellë fara të reja të luleve sa më të bukura”, thotë Mentor Dida.