Ndryshimet ligjore në arsim do ta zmbrapsin luftën kundër diskriminimit

Çanta nxënësish në një shkollë në Shkup, Maqedoni e Veriut. (Fotografi nga arkivi)

Plani për heqjen e bazave mbi të cilat ndalohet diskriminimi, si identiteti gjinor dhe orientimi seksual, do t’i dekurajojë viktimat që të kërkojnë mbrojtje, thotë një pjesë e sektorit civil. Ministrja e arsimit pohon se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) është kundër çdo lloj diskriminimi, por konsideron se nuk është e nevojshme që të numërohen të gjitha bazat për diskriminim. Nga Komisioni për kundër diskriminimit thonë se ky është një mesazh politik.

Nëse deri tani ligjet jepnin një mesazh të qartë se ndalohet diskriminimi në bazë të gjinisë, identitetit gjinor dhe orientimit seksual në arsimin fillor, në të ardhmen kjo mund të zhduket.

Heqja e këtyre dispozitave nga lista e bazave mbi të cilat ndalohet diskriminimi, është një nga ndryshimet e planifikuara ligjore që shkaktuan një sërë reagimesh tek një pjesë e sektorit joqeveritar dhe aktivistëve.

Ata konsiderojnë se ky është një prapakthim i procesit, por edhe një mesazh i autoriteteve se disa kategori të ndjeshme individësh nuk janë të mbrojtura. Ata janë të shqetësuar se një përjashtim të këtillë do të ketë edhe në ligji e ri për arsimin e mesëm që pritet të miratohet.

SHIKONI EDHE: Komuniteti LGBT përballet me "diskriminim të vazhdueshëm"

Nga ana tjetër, nga dikasteri përkatës, MASH, janë të prerë se janë kundër çfarëdo forme të diskriminimit dhe konsiderojnë se nuk ka nevojë të numërohen të gjitha bazat pasi në fund të dispozitave ligjore është shënuar fraza "dhe të tjera". Ndryshimet, ndër të tjera, i arsyetojnë me "traditën" dhe "gjendjen shpirtërore" të popullsisë.

Mirëpo, edhe një pjesë e sektorit joqeveritar dhe komisioni për kundër diskriminimit alarmojnë se kjo bie ndesh edhe me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili përmban dispozita për gjininë, identitetin gjinor dhe orientimin seksual dhe urdhëron legjislacionin e vendit që të harmonizohet me këto dispozita.

"Edhe pse renditja e bazave për diskriminim në të dy ligjet përfundon me njëfarë klauzole 'dhe të gjitha bazat e tjera', sigurisht që orientimi seksual dhe identiteti gjinor mund të përfshihen këtu, por, heqja e tyre nga bazat e renditura në mënyrë eksplicite është një mesazh politik që tregon se shteti nuk e vë fokusin ose nuk ju jep prioritet këtyre dy bazave për mbrojtje nga diskriminimi", thotë për Radio Evropa e Lirë (REL), Igor Jadrovski, anëtar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Çfarë do të nënkuptojnë ndryshimet në praktikë?

Gjinia, identiteti gjinor dhe orientimi seksual do të ekzistojnë në ligjin e përgjithshëm për luftën kundër diskriminimit, por, nëse hiqen nga ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm, kjo mund të jetë shkurajim për fëmijët që të kërkojnë mbrojtje, vlerësojnë organizatat civile.

“Në praktikë do të kemi një shkelje serioze për mbrojtjen nga diskriminimi. Do të ndikojë që fëmija që është diskriminuar të shkurajohet, të mendojë se dikush ka të drejtë t’ia bëjë atë”, thotë Maja Atanasova nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë.

Në praktikë, ndryshimet nuk do të duhet të nënkuptojnë asgjë, por kjo vlen nëse është fjala për një shoqëri ideale ku të gjithë do të ishin të njohur me ligjet dhe do ta dinin se kanë një mekanizëm mbrojtës përmes ligjit të përgjithshëm kundër diskriminimit.

SHIKONI EDHE: Shoqëria maqedonase e mbyllur karshi komunitetit LGBTI

“Megjithatë, nëse jeni një palë e painformuar që dëshiron të kërkojë mbrojtje edhe në bazat e renditura, në mënyrë eksplicite nuk i shihni këto dy baza, mund të jeni në lajthitje ose në pyetësorët nëse mund të kërkoni fare një mbrojtje të tillë. Në praktikë kjo mund të nënkuptojë largimin e personave që kanë përjetuar diskriminim mbi këto baza, që të kërkojnë mbrojtje nga diskriminimi”, vë në dukje Jadrovski.

Irena Cvetkoviq nga organizata joqeveritare Koalicioni Margini, kujton se një nxënës i shkollës së mesme në Veles tashmë ka fituar një rast para Komisionit për Anti-diskriminim mbi bazën e orientimit seksual, që është një shembull pozitiv se si një nxënës ka arritur të luftojë dhe të fuqizohet falë këtij procesi.

“Deri tani, si rezultat i lëvizjeve dhe fushatave anti-gjinore, ka pasur ndalime në miratimin e disa ligjeve, siç janë ato për barazi gjinore dhe evidencën amëz. Tani, nëse bëhen ndryshimet ligjore në arsim, kjo do të ishte hera e parë që të kemi ligje që janë kthim prapa”, thotë Cvetkoviq.

Koalicioni Margini dhe mbi 20 organizata tjera joqeveritare të bashkuara në Platformën për Barazi Gjinore kanë edhe një reagim të përbashkët ndaj ndryshimeve të planifikuara, për të cilat thonë se përbëjnë “shkeljen më të vrazhdët të të drejtave të fëmijëve dhe rrezikim të drejtpërdrejtë të integritetit të tyre mendor dhe fizik”.

“Kur institucionet në mënyrë sistematike përjashtojnë dhe fshijnë grupe të caktuara të nxënësve, atëherë ata drejtpërsëdrejti japin sinjal se inkurajohet përjashtimi dhe shtypja e mëtejshme të këtyre grupeve në shoqëri. Për më tepër, këto veprime u japin sinjal agresorëve, nga të cilët gratë, vajzat dhe nxënësit LGBTI+ përjetojnë vazhdimisht dhunë, se veprimet e tyre janë vetëm një vazhdim i asaj se si institucionet i trajtojnë këto grupe, duke normalizuar dhunën ndaj tyre”, thuhet në një pjesë të reagimit.

Janevska: Nuk është e nevojshme të numërohen të gjitha bazat

Për këto ndryshime, ministrja e Arsimit Vesna Janevska në intervistën javore për Radio Evropa e Lirë tha se edhe ata janë kundër çdo lloj diskriminimi, por pas reagimeve që kanë marrë nga publiku kanë konkluduar se duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si shprehen.

“Për t'u mos keqkuptuar, në fund të fjalisë është ‘dhe të tjera’ që përfshin çdo lloj diskriminimi. Nuk e di pse duhet ta ngarkojmë ligjin dhe ti numërojmë të gjitha llojet e diskriminimit që ekzistojnë, sepse kjo është nomo-teknik. Fjalët ‘dhe të tjera’ në fund të fjalisë përfshijnë të gjitha llojet e mundshme ekzistuese të diskriminimit”, tha Janevska.

Duke folur për reagimet në opinionin publik për këto çështje, ministrja tha “popullata jonë konsideron dhe kjo është pjesë përbërëse e një tradite dhe gjendje shpirtërore, se fëmijët duhet të mësojnë atë që është e përshtatshme për moshën”.

"Që të mos kemi revoltë, që të mos kemi keqkuptime, ne i përshtatim pak shprehjet dhe fjalët tona që ajo që ofrojmë të jetë e pranueshme për të gjithë”, shtoi ministrja.

SHIKONI EDHE: Personat LGBTI druajnë të tregojnë orientimin e tyre seksual në vendin e punës

Në mesin e atyre që kundërshtuan dispozitat aktuale ligjore është edhe Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili gjatë kësaj periudhe po zhvillon një fushatë në rrjetet sociale se ekzistojnë dy gjini - mashkullore dhe femërore, duke i barazuar shpesh termat gjini dhe seks. Kjo lëvizje, gjatë periudhës së kaluar e kundërshtoi edhe edukimin seksual në shkolla, duke akuzuar se një pjesë e sektorit joqeveritar në arsim po shtyjnë ideologji të ndryshme, nga të cilat “më e frikshmja është ajo (trans)gjinore”.

Ligji aktual për arsimin fillor është nga viti 2019. Tani po hapet sërish për shkak se shteti duhet të zbatojë aktvendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) me të cilin duhet të miratohen ndryshime ligjore që të parandalohet segregacioni i romëve në arsimin fillor. Mirëpo, sektori civil akuzoi se situata po përdoret si një mbulesë për të futur në paketë me këto, edhe ndryshimet për heqjen e termave gjini, identitetit gjinor dhe orientimit seksual nga neni ku renditen bazat për anti-diskriminimin.

SHIKONI EDHE: Kisha Maqedonase kundër ligjeve për ndryshimin e gjinisë

Përveç këtyre, organizatat joqeveritare reagojnë edhe për ndryshime të tjera të planifikuara. Një nga ato është edhe në pjesën e ligjit ku thuhet se “shkolla kujdeset për shëndetin seksual dhe riprodhues të nxënësve përmes sigurimit të informacioneve të bazuar në njohuri shkencore, të drejta të njeriut, barazinë gjinore dhe promovimin e respektimit të diversiteteve”.

Këtu, sipas planit, “baraziaa gjinore” do të hiqet dhe do të zëvendësohet me fjalët “mundësi të barabarta”.

Ndryshimet në arsimin fillor dhe propozim ligji për arsimin e mesëm, duhet të marrin dritën jeshile nga Qeveria. Pasi të kalojnë në seancën qeveritare, ato do të hyjnë në Kuvend.

Dhjetëra raste në tri vitet e fundit

Kur është fjala për diskriminimin në bazë të gjinisë, identitetit gjinor dhe orientimit seksual, sipas raporteve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjatë tre viteve të fundit kjo është konstatuar në dhjetëra raste. Në këto shifra nuk përfshihet vetëm arsimi, por edhe të gjitha fushat e tjera.

“Nga njëra anë, kjo do të thotë se njerëzit këtu e kuptojnë se mund të marrin mbrojtje, ndërsa në anën tjetër, do të thotë se kemi një problem real me diskriminimin mbi bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Nuk po flas këtu vetëm për arsimin, por edhe për të gjitha fushat e tjera shoqërore, që do të thotë se kemi një problem real me këtë lloj diskriminimi”, thotë Jadrovski.

Vitin e kaluar, fjala vjenë diskriminimi mbi bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual është konstatuar në 11 raste, ndërsa në tre raste mbi bazë të gjinisë. Në vitin 2022, në 25 raste ka pasur diskriminim për shkak të orientimit seksual, në 20 për shkak të identitetit gjinor dhe në pesë për shkak të gjinisë. Në vitin 2021, ka pasur shtatë respektivisht tetë raste mbi bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, kurse në dy raste është konstatuar diskriminim mbi bazë të gjinisë.

Përgatiti: Enis Shaqiri