Kërkesa 'problematike' e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë

Ilustrim.

Kosova nuk duhet të lejojë që Kushtetuta të ndryshohet për të akomoduar kompetenca ekzekutive për komunitetin serb, qofshin ato edhe minimale, thotë eksperti i të Drejtës Kushtetuese, Riza Smaka. Në Serbi, analisti politik Dushan Janjiq, thotë se Beogradi zyrtar ka një dekadë që po diskuton për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, por pa një proces të qartë dhe konsensual.

Të enjten, më 15 tetor, në konferencën për media në Beograd, përfaqësuesi special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”. Në këtë kuadër ai ka shtuar se Kosova do të zbatojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër në Bruksel, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deklarata për ndryshime kushtetuese ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Kur bëhet fjalë tek Asociacioni, brenga kryesore është te kompetencat të këtij organi.

Të hënën, më 19 tetor, Peter Stano, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, ka thënë​ se deklarata ​ e Lajçakut për ndryshimet e nevojshme kushtetuese është keqinterpretuar. Ai tha se kjo deklaratë kishte të bënte me aranzhimet pas arritjes së marrëveshjes finale.

"Zoti Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh nëse je duke e negociuar një marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues", tha Stano.

"Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, shtoi Stano.

SHIKONI EDHE: Gracka e ndryshimeve kushtetuese bllokon dialogun

Stano tha se se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar, duke rikujtuar fjalimin e ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 2016, se “ky Asociacion nuk do të jetë qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca legjislative".

Mogherini po ashtu atëbotë pati thënë se Asociacioni “do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ofron udhëzime që të sigurohemi se statuti i Asociacionit do të reflektojë ligjet e Kosovës kur të përpilohet”.

A ka gatishmëri për ndryshime kushtetuese në Kosovë e Serbi?

Për ekspertin e të Drejtës Kushtetuese, Riza Smaka, ndryshimi i nenit të parë i Kushtetutës së Kosovës, nga një shtet unik në shtet të përbërë, apriori do ta bënte Kosovën shtet jofunksional.

"Do të ishte shumë e ngjashme me Bosnjë e Hercegovinën”, tha Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, proceduralisht një gjë e tillë mund të ndodhë lehtë, por duhet evituar që të vijë deri te propozimi për ndryshime.

“Nëse këta pajtohen, atëherë propozimin e jep presidenti, qeveria, apo një grup deputetësh, dhe nëpërmjet qeverisë shkon në kuvend. Diskutohet nga Komisioni funksional dhe votohet me 2/3 e votave në kuvend, ku kërkohen edhe 2/3 e votave të minoriteve. Procedura nuk është telashe, por nuk do duhet pajtuar politikisht me këtë ndryshim”, thekson Smaka.

SHIKONI EDHE: Pse Asociacioni është problematik për Kosovën?

Analisti politik në Serbi, Dushan Janjiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se Lajçak ka harruar t’i referohet kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në BE, ku thuhet qartë se Serbia duhet që brenda dy vjetësh pas arritjes së marrëveshjes për normalizim raportesh me Kosovën, ta zbatojë atë, gjë që kërkon ndryshime kushtetuese.

“Pyetja që po shtrohet nga shumëkush është se çfarë do të ndryshohet, vetëm preambula apo vetëm kapitujt ku flitet për autonominë (e Kosovës)”, tha Janjiq.

Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë thuhet se Kosova është pjesë integrale e territorit (të saj), dhe se ka një pozitë të autonomisë thelbësore brenda shtetit të Serbisë.

Janjiq thotë se qasja e Lajçakut është e gabueshme pasi ai në Serbi po e konsulton vetëm presidentin, Aleksandar Vuçiq.

“Tani po e zbaton metodologjinë që të diskutojë në Serbi vetëm me Vuçiqin, që nuk mund të japë rezultate pozitive, pasi në fund të fundit, Vuçiq do të duhet të komunikojë me shoqërinë, që është problem i parë. Problem i dytë mbetet mungesa e plotë e transparencës”, tha Janjiq.

Kushtëzimet për Asociacionin

Tema e Asociacionit ka ndikuar në shtyrjen e dialogut në Bruksel, pasi Serbia po insiston që të diskutohet sërish për këtë organ, e Kosova po e konsideron si çështje të mbyllur, që sipas Prishtinës zyrtare, do të zbatohet pas arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke.

SHIKONI EDHE: Asociacioni, “kushtëzimi i radhës” për vazhdimin e dialogut

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit të tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanica, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.