VMRO-DPMNE: Grupi për ndryshimet kushtetuese, me element pro-rus

Deputetë të opozitës maqedonase në Kuvend duke kundërshtuar marrëveshjen e njohur si "propozimi francez".

Opozita maqedonase ka akuzuar Qeverinë se në Grupin e punës për ndryshimet kushtetuese ka instaluar edhe persona, të cilët, sipas VMRO DPMNE-së, janë me bindje “pro-ruse dhe anti-perëndimore”.

Grupi i ekspertëve për ndryshimet kushtetuese këtë javë do të nisë punën për hartimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me preambulën për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues. Kjo parashihet me marrëveshjen që është arritur me Bullgarinë, në qershor të vitit 2022, për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Marrëveshja është arritur bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”, pas së cilës Maqedonia e Veriut nisi bisedimet politike me BE-në për anëtarësim, por bisedimet për kapitujt nuk do të mund të nisin pa u bërë ndryshimet kushtetuese.

SHIKONI EDHE: Shkup: Formohet komisioni për ndryshimet kushtetuese, opozita nuk merr pjesë

Opozita maqedonase kundërshton ndryshimin e Kushtetutës, pasi kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime të reja.

VMRO DPME-ja bojkoton grupin e ekspertëve ndërsa së fundi doli edhe me kritika sa i përket përbërjes së tij.

“Atje ka anëtarë, të cilët e lartësojnë punën e [Vladimir] Putinit, presidentit të Federatës ruse dhe ne duhet t’i paguajmë ata ekspertë. Nëse e shikon biografinë e zonjës [Jagoda] Mitrevska do ta kenë shumë të qartë se si është formësuar, si i ka arritur titujt shkencor. Ajo është anëtare e re e grupit punues për ndryshime kushtetuese, të cilin e themeloi [Dimitar] Kovaçevski. Ajo mburrej se ka marrë pjesë në fushatat elektorale të Rusisë dhe fotot tregojnë se ajo pozon me krenari para lokaleve dhe flamujve të partisë së Putinit”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

SHIKONI EDHE:

Opozita maqedonase kërkon zgjedhje të parakohshmeOpozita maqedonase kundër Ballkanit të Hapur, bllokon ligjet në KuvendPolitika maqedonase mbetet e përçarë në procesin integrues

Ai ka thënë se grupi i ekspertëve për hartimin e ndryshimeve kushtetuese, duhet të formohet, pasi kërkesa për nisjen e ndryshimeve të jetë miratuar në Kuvend me dy tretat e votave.

“Që të arrijmë te puna e këtij grupi, së pari duhet që nevoja[kërkesa] për hapjen e Kushtetutës të kalojë në Parlament me dy të tretat. I bëj thirrje kryeministrit Dimitar Kovaçevskit të mos tregohet frikacak. Meqë po i gënjen ndërkombëtarët se ka pasur progres me deputetët e VMRO DPMNE-së për mbështetje të ndryshimeve, le të dalë publikisht të tregojë se cilët janë ata deputetë. VMRO DPMNE-ja nuk ka probleme me shantazhe dhe kërcënime, siç mund të kenë pasur disa deputetë në të kaluarën, në mënyrë indirekte apo direkte”, ka deklaruar Mickoski.

SHIKONI EDHE: Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj Shkupit për ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës maqedonase, në veçanti ato që kanë të bëjnë me përbërjen e grupit të ekspertëve se në mesin e tyre ka edhe persona pro-rusë apo anti-perëndimor.

Kovaçevski ka thënë se është pikërisht opozita ajo e cila me veprimet e saj dëshmon se është kundër anëtarësimit të vendit në BE ashtu siç ishte edhe kundër anëtarësimit në NATO.

“Për mua ishte e pritshme se cilat parti do të marrin pjesë në grupet e punës e cilat nuk do të marrin. Ne në shtet kemi dy koncepte. Njëri, i partive që mbështesin integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO dhe kemi grupin tjetër të partive politike të udhëhequr nga ‘E majta’ dhe pengu i saj VMRO-DPMNE, që janë kundër këtyre organizatave ndërkombëtare. Opozita nuk votoi as kundër operacionit FRONTEX. Ata janë edhe kundër gjuhës maqedonase që për herë të parë aplikohet në institucionet evropiane”.

SHIKONI EDHE: FRONTEX zyrtarizon operacionet në Maqedoninë e Veriut

“Por, një gjë duhet ta kenë të qartë se e ardhmja evropiane e vendit, ngritja e standardit të qytetarëve nuk mund të jenë peng i karrierës së një personi. Ky është obligim i të gjithë deputetëve që marrin vendime që do të jenë garanci për të ardhmen e gjeneratave të tanishme dhe atyre që vijnë pas”, ka deklaruar Kovaçevski.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohet deri në nëntor, në të kundërtën Maqedonia e Veriut nuk do të mund t’i nisë bisedimet për kapitujt pasi Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, ashtu siç e përdori në nëntor të vitit 2020.

Ndryshimet miratohen me dy të tretat e votave në Kuvend, por shumica parlamentare aktualisht ka mbështetjen e 64 deputetëve, ndërkohë që për miratimin ndryshimeve nevojiten 80 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.