Liderët botërorë diskutojnë për klimën dhe vaksinat

Udhëheqësit botërorë në ditën e parë të samitit të liderëve të G20 në qendrën La Nuvola, në Romë, 30 tetor 2021.

Vendet e G20-ës duhet të sigurojnë që 70 për qind e popullsisë globale të vaksinohet kundër COVID-19 deri në mesin e vitit 2022", tha të shtunën (30 tetor) presidenca italiane e G20-ës.

"Jemi shumë pranë përmbushjes së objektivit të OBSH-së për të vaksinuar 40 për qind të popullsisë globale deri në fund të 2021. Tani duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur 70 për qind deri në mesin e 2022," tha kryeministri italian Mario Draghi.

Fjala e tij hapi një samit dy-ditor në Romë të liderëve botërorë, të cilët pritet të diskutojnë përpjekjet për të frenuar pandeminë e koronavirusit, si dhe ndryshimet klimatike dhe kërcënimet për rimëkëmbjen ekonomike globale.

Draghi theksoi më shumë se 70 për qind e njerëzve në vendet e zhvilluara kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19. Kjo përqindje, sipas tij, është rreth tre për qind në pjesët më të varfra të botës.

Presidenti amerikan merr pjesë në samitin e G20-ës mirëpo aty mungojnë presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping, të cilët planifikojnë të marrin pjesë përmes video-lidhjes.

Ndërkohë, Biden pritet të bëjë presion që vendet të rrisin prodhimin e energjisë, për shkak të rritjes së çmimeve, si dhe të diskutojnë planet për të parandaluar pandemitë e ardhshme.

Ky është takimi i parë me prani fizike i udhëheqësve të këtyre vendeve që nga fillimi i pandemisë së COVID-19.

Pjesa më e madhe e diskutimeve pritet të fokusohet në ndryshimet klimatike.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 29 tetor paralajmëroi udhëheqësit e G20-ës që të ndërmarrin veprime dhe të tejkalojnë mosbesimin mes tyre në mënyrë që qëllimet për të përmiresuar situatën klimatike të përparojnë.

"Ne ende jemi në afate kohore për të rregulluar gjërat dhe mendoj se takimi i G20-ës është mundësia për ta bërë këtë", tha Guterres.

SHIKONI EDHE: Për çfarë flitet në G20 përveç ekonomisë?

Papa Françesku, i cili u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Vatikan, më 29 tetor, tha se liderët politikë të botës duhet t'u japin brezave të ardhshëm "shpresë konkrete" se ata janë duke marrë masat e nevojshme.

Takimi i G20-ës po zhvillohet para konferencës së OKB-së për klimën në Glasgou të Skocisë.

Liderët janë nën presion për ndërmarrë veprime që do të ulnin emetimet e dioksidit të karbonit në mënyrë që të vihet nën kontroll ngrohja globale.

Grupi i G20-ës, që ndër të tjera përfshin Brazilin, Kinën, Indinë, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, përbën më shumë se 80 për qind të emetimeve të karbonit.