Banorët e fshatrave për rreth Shkupit thonë se në mënyrë të pakontrolluar ndotet toka bujqësore, nga kompani të papërgjegjshme që zhvillojnë aktivitetin e tyre në periferi të kryeqendrës së Maqedonisë së Veriut.
Banorët e fshatit Konjare që ndodhet rreth 30 kilometra në Lindje të Shkupit (në afërsi të Aeroportit të Shkupit) thonë se nëpërmjet protestave të shumta që kanë organizuar me vite, para një muaji arritën ta ndalin nxjerrjen e rërës nga ana e kompanive që kishin marrë me koncesion nxjerrjen e rërës nga shtrati i lumit Pçinjë.
Ata theksojnë se nxjerrja e rërës ka lënë pasoja të rënda që ua vështirësojnë jetën.
Ata thonë se në fshat nuk kanë ujë të pijshëm dhe se tërheqja e ujit më në thellësi si rrjedhojë e gërryerjeve të shtratit të lumit, dukshëm ka çuar në dëmtimin e kulturave të mbjella.
“Gypat e pompave për të nxjerrë ujë për pije më herët shkonin jo më shumë se 6 metra, tani nuk gjejmë ujë në 12 metra. Më herët jonxhën e kositnim shtatë herë, tani mezi bëhet dy herë”, thotë Azim Qerimi, kryetar i bashkësisë lokale të fshatit Konjarë e mesme.
Megjithëse pas reagimit të qytetarëve nxjerrja e rërës është ndërprerë, në hyrje të fshatit Konjarë e Epërme vërehen grumbuj të rërës që është nxjerrë nga shtrati i lumit Pçinja.
“Në këtë rajon po ndodh një katastrofë për sa i përket mjedisit. Prej 10-15 vjetësh, rëra është shfrytëzuar për gjoja rregullimin e rrjedhës së lumit Pçinja. Dëmi që është bërë këtu paraqet ekocid të paparë”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL), kryetari i Bashkësisë Lokale të Konjares së Epërme, Rade Spasevski.
Nga ana tjetër, Lubço Dimitrievski nga fshati Orman që ndodhet 10 kilometra në lindje të Shkupit thotë se arat në këtë fshat po shndërrohen në djerrinë. Ai kujton se një pjesë e madhe e tregjeve të Shkupit furnizohej me pemë dhe perime nga fshati i tij.
Fajin ai ia vë nxjerrjes së pakontrolluara dhe grumbullimit të mbetjeve të rrezikshme nga kompanitë që funksionojnë përgjatë lumit Lepenc.
“Hidhen mbeturina lart-poshtë gjithandej dhe po shndërrohemi në deponi. Fshati ynë emrin e ka Orman që në përkthim nga turqishtja do të thotë pyll, pra i mbuluar me gjelbërim. Pasi ka devijuar uji i lumit Lepenc nga gërryerjet, kanalet ujitëse kanë mbetur shterpë. Në ara nuk kemi si të mbjellim pasi pa ujë gjithçka thahet sapo të fillojë vapa dhe nuk arrin të vilet në vjeshtë”, thotë Lubço Dimitrievski banor i Ormanit.
Bashkëfshatari i tij Vane, 84 vjeç, na tregon se dikur në të gjitha kopshtet e fshatit kalonin kanale për ujitje, por me gërryerjet që kanë bërë kompanitë e ndryshme, shtrati i lumit Lepenc është thelluar dhe kanalet degëzuese mbeten të thata.
Fshati Orman së fundmi është vënë në qendër të vëmendjes pas njoftimit të Inspektoratit të Autorizuar për Mjedis Jetësor të Komunës së Gjorçe Petrovit, se ka gjetur rreth 500-600 tonelata mbetje të rrezikshme të plumbit në dalje të këtij fshati, rreth 100 metra larg lumit Lepenc.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Sreten Stojkovski, duke folur për rastin e mbetjeve të rrezikshme në Gjorçe Petrov, ku në mënyrë të jashtëligjshme ishin mënjanuar 500 tonë mbeturina nga akumulatorë të shkrirë, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet vendimi i inspektorëve nëse do të ketë kallëzim penal apo kundërvajtës.
“Inspektorët janë të pavarur në procedura, ata marrin vendimin. Me ndryshimin e Kodit Penal u vendos vepra ‘ekocid’ dhe inspektorët do të vendosin nëse do të shkojnë me kallëzim penal”, tha Stojkovski.
Ekocidi përfshihet në ndryshimet e Kodit Penal, sfidë mbetet dëshmimi
Me ndryshimet e fundit, më 7 shtator, të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, ndotja afatgjate dhe e përhapur e mjedisit paraqet krim – ekocid. Kurse, për autorët e këtij krimi mjedisor parashihet burgim që fillon nga dhjetë vjet e deri në burgim të përjetshëm.
SHIKONI EDHE: "Kush mund të mbijetojë afër mbetjeve të rrezikshme”: Telashet e banorëve në afërsi të ShkupitKëto ndryshime të Kodit Penal është paraparë të hyjnë në fuqi brenda 6 muajve nga botimi i ndryshimeve të Ligjit në Gazetën Zyrtare, pra nga data 7 mars 2024.
Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor dhe organizata Juristët e Rinj thonë se pas ndryshimeve të Kodit Penal sfidë më vete do të paraqesë dëshmimi i ekocidit.
Ambientalistët theksojnë se nevojitet përforcimi i kapaciteteve të prokurorisë, Inspektoratit të mjedisit, veçanërisht trajnimi i tyre për ç’gjë nevojiten mjete financiare dhe mbi të gjitha vullnet.
Nga Ministria e Ambientit Jetësor thonë se sfidë më vete deri më tani ka paraqitur dhe fakti për të vërtetuar nivelin e ndotjes, porse me ndryshimet ligjore janë thjeshtësuar procedurat për vërtetimin e veprave që kanë të bëjnë me ndotjen e ambientit në masë.